Dronë godasin katër cisterna greke të naftës në Detin e Zi

Katër cisterna nafte në pronësi të kompanive greke u goditën nga dronë më 13 janar në Detin e Zi, pranë terminalit të Caspian Pipeline Consortium (CPC), sipas burimeve të cituara nga Reuters dhe Bloomberg.

Anijet e shënjestruara janë Delta Supreme dhe Delta Harmony, të operuara nga kompania Delta Tankers, si dhe Freud, në pronësi të TMS, dhe Matilda, e kompanisë Thenamaris.

Sipas Thenamaris, cisterna Matilda, e cila pritej të ngarkonte naftë nga fusha Karachaganak, u godit nga dronë jashtë terminalit të CPC-së. Dëmet janë cilësuar si të lehta dhe anija mbetet funksionale.

Ndërkohë, Delta Harmony ishte në lëvizje drejt ngarkimit të naftës bruto nga fusha Tengiz.

Burimet bëjnë me dije se cisternat kanë pësuar dëmtime kryesisht në pajisjet e përpunimit dhe ngarkim-shkarkimit të ngarkesës.

Sipas Reuters, sulmet ndodhën ndërsa anijet po i drejtoheshin terminalit Yuzhnaya Ozereevka, pranë qytetit Novorossiysk, një nga nyjat më të rëndësishme të eksportit të naftës në rajon. Përmes këtij terminali kalon rreth 80% e naftës së Kazakistanit që eksportohet drejt tregjeve ndërkombëtare.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi autorët e sulmeve apo ndikimin e mundshëm në furnizimet globale të naftës, ndërsa situata në Detin e Zi mbetet e tensionuar.