Drogë, ora “Rolex” dhe tekstil i padeklaruar – Dogana jep detaje se çka sekuestroi gjatë vikendit

Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallra të padeklaruara, substanca narkotike dhe municion gjatë fundjavës së kaluar.

Në Pikën Kufitare Hani i Elezit, gjatë kontrollit të një mjeti transporti ndërkombëtar që po kalonte në transit zyrtarët doganorë kanë zbuluar rreth 180 kilogramë material tekstili të padeklaruar për doganë.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë kontrolleve rutinore të bagazheve të udhëtarëve, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dy orë dore të markës “Rolex”, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me rregullat doganore.

Komunikata:

Dogana e Kosovës sekuestron mallra të padeklaruara, substanca narkotike dhe municion gjatë fundjavës së kaluar

Prishtinë, më 20 tetor 2025 Gjatë fundjavës së kaluar, Dogana e Kosovës ka realizuar një sërë kontrollesh të përbashkëta në pika të ndryshme kufitare të vendit, të cilat kanë rezultuar me zbulimin e disa rasteve të shkeljeve doganore dhe veprimtarive të paligjshme.

Hani i Elezit

Në Pikën Kufitare Hani i Elezit, gjatë kontrollit të një mjeti transporti ndërkombëtar që po kalonte në transit zyrtarët doganorë kanë zbuluar rreth 180 kilogramë material tekstili të padeklaruar për doganë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës

Gjatë kontrolleve rutinore të bagazheve të udhëtarëve, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dy orë dore të markës “Rolex”, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me rregullat doganore. Mallrat janë ndaluar për verifikim, ndërsa janë iniciuar procedurat kundërvajtëse sipas Ligjit Nr. 08/L-247 për Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.

Vërmicë

Substancë narkotike: Gjatë një kontrolli të përbashkët me Policinë Kufitare, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një udhëtar shtetas të huaj, tek i cili është gjetur një sasi prej 11.1 gram substancë e dyshuar narkotike, e fshehur në xhaketë. Personi është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë kompetente, ndërsa njësitet hetimore dhe K9 kanë asistuar në kontrollin e automjetit.

Mall i padeklaruar: Në një rast tjetër, gjatë kontrollit të një automjeti në hyrje të Kosovës, janë gjetur afer 100 palë këpucë të padeklaruara, për të cilat udhëtari nuk posedonte dokumentacion përkatës. Për këtë rast është iniciuar procedurë kundërvajtëse ndërsa mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore.

Municion dhe substancë narkotike: Gjatë kontrollit në vijën e dytë në Pikën Kufitare Vërmicë–Morinë, është zbuluar një kuti që përmbante 50 fishekë të kalibrit 9 mm, të fshehur nën gomën rezervë të automjetit, si dhe një cigare e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë (0.58 gramë). Municioni dhe substanca janë konfiskuar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejme nga autoritetet kompetente.

Dogana e Kosovës vazhdon me përkushtim zbatimin e ligjit dhe kontrollin e kufijve të Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit të kontrabandës, trafikimit dhe çdo veprimtarie të paligjshme që cenon sigurinë ekonomike dhe publike të vendit.