Drogba dhe Essien i dalin në mbrojtje Mourinhos

Ish-sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, dhe ish-shoku i tij ganez te Chelsea, Michael Essien, të mërkurën mbrojtën ish-trajnerin e tyre, Jose Mourinho, i cili është akuzuar për komente raciste nga klubi turk Galatasaray.

Galatasaray njoftoi se do të nisë procedura penale kundër trajnerit të Fenerbahçes, Mourinho, pas barazimit në ndeshjen e kampionatit të hënën, kur 62-vjeçari tha se stoli i ekipit vendas po “kërcente si majmunët”.

Fenerbahçe u përgjigj duke thënë se komentet e trajnerit portugez ishin “nxjerrë jashtë kontekstit” dhe “qëllimisht të shtrembëruara”.

Drogba, i cili ishte blerja rekord e Chelseat kur u bashkua me klubin në vitin 2004 dhe një nga lojtarët kyç të Mourinhos në fitimin e dy titujve radhazi në Premier League, doli në mbështetje të tij në rrjetin social X.

“Kam parë komentet e fundit për Jose Mourinhon. Besomëni kur ju them se e njoh Jose prej 25 vitesh dhe ai nuk është racist – historia (e kaluar dhe e tashme) e vërteton këtë,” shkroi Drogba, i cili më vonë luajti edhe për Galatasaray, duke shtuar: “Si mund të jetë ‘babi’ im racist?”

Essien gjithashtu mbrojti ish-trajnerin e tij, duke postuar në X dhe Instagram një foto të vjetër me veten, Drogban dhe Mourinhon, të shoqëruar me tre zemra.