Drita dhe shanset e kualifikimit, ja situata! Trajneri Ramadani: “Çfarë emocioni sonte, duam historinë por gjithashtu do jem tifoz i Shkëndijës në vazhdim sepse…”

Kampioni i Kosovës, Drita, ka shënuar një fitore të madhe në derbin shqiptar kundër Shkëndijës, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Konferencës.

“Intelektualët” triumfuan me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e zjarrtë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Arb Manaj u shpall hero me golin e vetëm të takimit, pas një harkimi perfekt nga Besnik Krasniqi.

Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e tetë në renditjen e përgjithshme të Ligës së Konferencës me 8 pikë, ndërsa Shkëndija zbret në pozitën e 25-të me 4 pikë.

Forma e jashtëzakonshme e gjilanasve nën drejtimin e trajnerit Zekirija Ramadani bën që klubi të jetë shumë pranë sigurimit të një vendi në play-off të kësaj gare evropiane. Ajo që bie më së shumti në sy është fakti se pas katër xhirove, Drita ka lënë pas emra të njohur të futbollit evropian si: Sparta Prague, Rayo Vallecano, Fiorentina, Crystal Palace, AZ Alkmaar, Dinamo Kyiv dhe Legia Warsaw.

Drita ka edhe dy ndeshje të mbetura në fazën e ligës: fillimisht pret AZ Alkmaar, ndërsa në fund udhëton në Spanjë për t’u përballur me Rayo Vallecano. Deri më tani, gjilanasit kanë regjistruar fitore ndaj Shelbourne dhe Shkëndijës, ndërsa kanë barazuar me KuPS dhe Omonia – një ecuri shumë pozitive që i mban në garë për një histori të re evropiane.

Trajneri Zekeria Ramadani komentoi suksesin: “Ishte një ndeshje e veçantë me shumë emocion dhe presion, pasi për herë të parë takohen dy ekipe shqiptare në grupe. I uroj futbollistëve fitoren. Ishte luftë sportive nga të dyja ekipet,” tha ai, duke theksuar se megjithëse loja nuk ofroi spektakël brenda fushe, atmosfera në tribuna ishte e jashtëzakonshme falë dy tifozërive që krijuan një festë të vërtetë.

“Respekt për ekipin e Shkëndijës, ka bërë revolucion në Maqedoninë e Veriut. Ne ku punojmë mundohemi ta bëjmë maksimumin. Kam dëshirë që Shkëndija të fitojë, do të jemi tifozë të tyre dhe do të ishte kënaqësi që të ishim dy skuadrat tutje”, u shpreh ai.

The post Drita dhe shanset e kualifikimit, ja situata! Trajneri Ramadani: “Çfarë emocioni sonte, duam historinë por gjithashtu do jem tifoz i Shkëndijës në vazhdim sepse…” appeared first on Telesport.