Drejtori i Radio Kosovës: Projekti për sheshin “Xhorxh Bush” pengon punën e mediave dhe është nisur pa koordinim

Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka bërë të ditur se sot, së bashku me drejtoreshën e kompanisë Koha, Flaka Surroi, janë takuar me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Ibrahim Gjylderen, për të diskutuar mbi projektin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, raporton Demokracia.com.

Sipas Halilit, ky projekt paraqet pengesa për funksionimin e mediave që operojnë në këtë zonë, pasi nuk është paraparë asnjë rrugë për qasje deri te objektet e tyre të punës. Ai theksoi se ndërtesa e Radio Kosovës është nën menaxhimin e AKP-së dhe se më 27 nëntor 2024, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e MKRS-së kishte njoftuar RTK-në se ndërtesa është vendosur nën mbrojtje të përkohshme si trashëgimi arkitekturore.

Gjatë takimit, ata kërkuan sqarime nëse Komuna e Prishtinës kishte marrë pëlqimin e AKP-së për zhvillimin e projektit në hapësirat nën administrimin e Agjencisë. Megjithatë, drejtuesit e AKP-së konfirmuan se nuk kanë marrë asnjë njoftim apo kërkesë nga Komuna, duke ngritur dyshime për mungesën e koordinimit ndërinstitucional dhe konsultimit publik.

Halili vuri në dukje se as Radio Kosova dhe as RTK-ja nuk janë përfshirë në diskutime për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte qasje të lirë për stafin dhe të ftuarit. Ai apeloi për transparencë dhe konsultime publike, duke kërkuar hapa konkretë nga institucionet përgjegjëse për të siguruar një proces të hapur dhe të rregullt. /Demokracia.com/

Postimi plotë: