Drejtori i Policisë tregon se çka planifikonin serbët e mbledhur në Jarinjë e Bërnjak

“Serbët e mbledhur në Jarinjë e Bërnjak, kishin qëllim që t’i shkatërronin këto dy pika kufitare me ekskavatorët që i kishin vendosur në rrugë si bllokadë”. Kështu ka pohuar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti në raportimin te Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

“Mëngjesin e datës 20 (shtator), kemi pranuar informacione nga agjencione të sigurisë që operojnë në Republikën e Kosovës, të detajuara, lidhur me kohën, vendin, mjetet dhe urdhrin për t’i bllokuar rrugët. Gjithashtu, informacionet e konfirmuara se më datë 19 në mbrëmje, individë të njohur për Policinë, me background kriminal, me influencë politike, kanë mbajtur takim me të gjitha strukturat ilegale dhe kanë dhënë urdhër për mobilizimin e qytetarëve dhe kishin kërkuar të shkonin masivisht drejt pikave kufitare dhe t’i bllokonin rrugët me qëllim që të pamundësohet zbatimi i vendimit të Qeverisë dhe lëvizja e Policisë”.

Mehmeti tha se, serbët e mbledhur, të koordinuar me strukturat paralele dhe nga njerëz me të kaluar kriminale të njohur nga Policia, planifikonin t’i përdornin ekskavatorët e vendosur në rrugë.

“Këto informacione konfirmohen si të sakta diku rreth orës 7 të datës 20/09, kur qytetarë të ndryshëm, me kamionë, me mjete të ndryshme transportuese, fillojnë t’i bllokojnë rrugët. Aty bie në sy sidomos prezenca e ekskavatorëve, të cilët sipas informacioneve të mbledhura nga terreni, kanë qenë me qëllim që të shkatërrohen pikat kufitare, me theks të posaçëm, konstruksioni me kontejnerë i vendosur për Policinë Speciale”.

“Zakonisht ndërrimet i kanë bërë çdo 6 orë, është vrejtur mungesa e dëshirës së qytetarëve për t’iu bashkangjitur protestës. Shpeshherë janë përdorur punëtorët e organizatave publike. Sa për informacion, edhe automjetet që janë përdorur, shumica janë të organizatave publike”.