Drejtori i Përgjithshëm i PK-së takoi drejtorët rajonal dhe komandantët e stacioneve policore

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me stafin e lartë menaxhues, realizuan një takim zyrtar me drejtorët e Drejtorive Rajonale Policore dhe komandantët e stacioneve policore të Policisë së Kosovës, transmeton KosovaPost.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij takimi ishte që përveç prezantimit dhe analizimit të raportit të gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, ku u pasqyruan të arriturat dhe rezultatet pozitive, të diskutohen edhe çështjet që ndërlidhen me performancën në punë, integritetin, disiplinën dhe rritjen e mëtejmë të profesionalizmit policor, e që ndikon direkt edhe në imazhin pozitiv dhe besueshmërinë ndaj Policisë së Kosovës.

Hoxha nga drejtorët rajonal, komandantët e stacioneve, por edhe nga të pranishmit kërkoi që të zbatohen në përpikëri, me profesionalizëm dhe integritet të gjitha procedurat e parapara ligjore, udhëzimet dhe rregulloret policore, si dhe synimet, detyrat dhe objektivat strategjike policore me theks të veçantë:

-Rritjen e bashkëpunimit dhe qasjes më proaktive me komunitetin,
-Rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit të mirëfilltë me qytetarët,
-Rritjen e performancës, integritetit, mbikëqyrjes më efikase dhe disiplinës në punë nga eprorët,
-Parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprimtarive kriminale dhe luftën kundër korrupsionit,
-Uljen e shkallës së krimit të të gjitha formave,
-Ngritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve,
-Ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim dhe ruajtjen e rendit kushtetues.

Ndër të tjera drejtori Hoxha theksoi se përmes zbatimit të ligjit, menaxhimit sa më efikas të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike, mbikëqyrjes së performancës së zyrtarëve policorë nga eprorët e drejtpërdrejtë, mund të arrihen rezultate edhe më pozitive në shumë sfera policore.

Në këtë takim të gjithë të pranishmit u zotuan për angazhime të mëtejme me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe të vendit.

The post Drejtori i Përgjithshëm i PK-së takoi drejtorët rajonal dhe komandantët e stacioneve policore appeared first on Kosovapost.net.