Një nga një kriteret ligjore, mbi 90 sosh, për liberalizim të vizave ishin përmbushur qysh më 2019: atë politik, e përmbylli Albin Kurti i Vetëvendosjes, kur u dha të pranojë marrëveshjen gjermano-gjermane për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, me një njohje të derës së pasme, i.e (de facto), dhe autonomi politike të serbëve të Kosovës. Me Marrëveshjen e Ohrit të ndërtuar në këto dy shtylla: njohje de-facto dhe autonomi – shpërblimi për Kosovën ishte liberalizimi i vizave dhe nisja e procedurave për anëtarësim në Këshill të Evropës (që u ndal si pasojë e mosmiratimit të draft-Statutit të Asociacionit). Kaq ishte raporti i marrë-dhënies nga marrëveshja që Albin Kurti e futi Kosovën në Ohër mbi bazën e një nënshkrimi verbal dhe lidhjes së gjithanshme të rrugës evropiane të Kosovës me jetësimin e atij traktati. Sot gati tre vite më vonë: i vetmi ‘sukses’–që erdhi me çmim të lartë–është “liberalizimi i vizave”. Kur s’i kanë mbetur një javë afat në tik-takun e orës kushtetuese për të ndërtuar qeveri të re, liberalizimi i vizave u kthye në rrahagjoksje diplomatike nga Albin Kurti dhe Donika Gërvalla për “fuqizim të pasaportës”. Por, si krejt PR-i, prapa saj fshihen edhe hile prej më domethënësve. Qe pse.
…
Kurti dhe Gërvalla i brohoritën kalimit në vendin e 65-të në Indeksin Henley për pasaportën e Kosovës – dhe kjo si dëshmi “e fuqizimit të pasaportës së Kosovës, dhe Republikës”. Por, e vërteta është se fjala është për turizëm 90 ditor, dhe vetëm fare pak për fuqi të pasaportës – dhe ku, për më tepër, Kosova mbetet më së keqti në rajon mu në këtë Indeks. Shqipëria e 43-ta, Bosnje-Hercegovina, e 42-ta, Mali i Zi e 40’ta, Maqedonia e Veriut e 38-ta dhe Serbia e 34-ta.
Por, përtej rangimeve se cili shtet në sa shtete shkon pa viza dhe si licensë turizimi 90 ditor, në “fuqinë e pasaportës” dhe kriteret më të themelshme të saj, Kosova, nën qeverisjen e Albin Kurtit, i ka saktësisht të kundërtat. Në pesë vjet qeverisje, 13% e popullatës së Kosovës, sipas të dhënave zyrtare të Bashkimit Evropian (Eurostat), kanë ikur nga vendi drejt shteteve anëtare të saj.
(Shih KËTU të dhënat në EUROSTAT)


Fuqi e pasaportës për të hequr dorë nga vendi?
Numrat e huaj kohëve të fundit rifshfaqën realitetin jopremtues ekonomik të vendit. Tri herë më shumë (për kokë banori) emigrim në vende të BE-së se sa Ukraina që është në luftë, 36 herë më shumë se Rusia, e diku 200 herë më shumë se India. Kjo rrjedhje e popullatës çdo herë e më lartë për Kosovën, si një vend me rreth 1.7 milionë banorë, përkthehet në perspektivë edhe më të frikshme. Numrat zyrtar të BE-së: 210 mijë persona janë larguar – që kanë marrë leje nga vendet e BE-së – që na koha kur Albin Kurti është ngjitur në pushtet.
Largimi i 46 mijë njerëzve për NJË VIT nga Kosova (2.7% e krejt popullatës) do të ishte e barabartë me ikjen e 9 milionë njerëzve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një vit. Asnjë vend tjetër me popullsinë e Kosovës nuk po dërgon sasi kaq të madhe vjetore në BE. Këto shifra të zhvendosjeve janë të krahasueshme thuajse me nivel lufte.
Saktësisht e kundërta si e vërtetë
Fuqia e pasaportës, siç e ha logjika, është kur vendi ku udhëton nuk të pandeh për imigrant e refugjat potencial (dhe Kosova, këtu kontribuon skajshmërisht në raport me madhësinë e saj), por, kur udhëtari (mbajtësi i pasaportës në fjalë) shihet për vizitor të sigurtë nga një vend me gravitet ekonomik. Kjo si “fuqi” e pasaportës.
Ta zëmë: Madhësia dhe besueshmëria e ekonomive gjermane dhe amerikane udhëtarëve të atyre shteteve u përkthehet në një formë sigurie globale. Lejimi i hyrjes për qytetarët e tyre paraqet rrezik minimal ekonomik ose të sigurisë. Në këtë kuptim, Bruto Produkti i Brendshëm bëhet vetë kalimi i heshtur kufitar, i.e, “fuqia e pasaportës”.