Saktësisht, 47 sekonda pretendohet të jetë koha prej kur i mituri R. B., kishte hyrë brenda objektit banesor ku jetonte rreshteri policor Muhamet Lika, e dyshohet se e kishte kryer vrasjen dhe më pas kishte dalë me vrap nga objekti më 1 prill 2025, pak para mesnate.
Me vetura të ndaluara e me përcjellje të vazhdueshme, deri në momentin e vrasjes ishte vëzhguar rreshteri Muhamet Lika nga grupi i përbërë nga një i mitur R. B., dhe gjashtë të dyshuarit tjerë, Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi.
KALLXO.com ka arritur të sigurojë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të miturit në të cilën përshkruhen detajet e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika.
Për disa javë hetuesit policor kishin punuar në hetimin dhe zbardhjen e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika ndërsa më 21.04.2025, në një aksion të gjerë policor në të cilën morën pjesë qindra policë u bë edhe arrestimi i një grupi i cili në formë të organizuar po dyshohet se kryen vrasjen e Muhamet Likës.
Në bazë të dosjes më 01.04.2025 në vendin e ngjarjes janë sekuestruara katër gëzhoja të armës së zjarrit e dyshuar si armë e shkurtë 9×19 milimetra, një predhë e fishekut, një këmishëzë e fishekut.
Nga provat e siguruara dhe kamerat që ka arritur të siguroj Policia në dosje thuhet se vërtetohet se më datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e dytë, të hyrjes së ndërtesës, në bashkëveprim, me dashje dhe përgatitje paraprake i mituri R. B. dyshohet se ka privuar nga jeta tani të ndjerin, zyrtarin policor, rreshter Muhamet Lika, me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik.
Sipas dosjes thuhet se pas përfundimit të orarit të punës së rreshterit policor, në bazë të kamerave të sigurisë që janë marrë nga hetuesit e rastit vërehet se rreth orës 22:53 rreshteri ishte rrugës për në banesën e tij.
Tutje, dosja thotë se i pandehuri, i dyshuari Haki Bela kalon përballë me viktimën Muhamet Lika, e pastaj viktima vazhdon në drejtim të banesës, ndërsa i pandehuri Haki vazhdon në drejtim të rrugës “UÇK” për 20 metra dhe më pastaj pas 30 sekondave kthehet në drejtim të viktimës.
Tutje në vazhdim të pandehurit – të dyshuarit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika në rrugë vëzhgojnë rrugëtimin e viktimës, ku nga vetura “Opel Astra”, ngjyrë e bardhë me targa, me vozitës Shkëlqim Kuka dhe pasagjer Edmond Lika, me të kaluar viktima rreth veturës në drejtim të banesës së tij, nga vetura del pasagjeri Edmon Lika dhe hip në veturën e tij “Golf 2”, ngjyrë e kaltër duke vozitur të njëjtën me drita të fikura dhe duke vazhduar në rrugën një drejtimëshe duke përcjellë viktimën në drejtim kah ka lëvizur ndërsa vetura “Opel Astra” nga ai moment merr veprimin dhe vazhdon duke shkuar afër vendit të ngjarjes.
Dosja përshkruan se viktima vazhdoi rrugëtimin në rrugën “Idriz Seferi” afër hyrjes së banesës së tij, ku i mituri R. B., nga pamjet e kamerave të sigurisë vërehet se në ora 22:57 vazhdon duke e përcjellë viktimën duke ecur rreth 15-20 metra mbrapa viktimës, ky i fundit i cili hynë në hyrjen e banesës së tij dhe menjëherë pas viktimës i mituri R. B., hynë pas tij në hyrjen e objektit të banesës.
Pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar rreshteri policor duke u ngjitur shkallëve, i mituri pasi që paraprakisht e përcjellë të njëjtin duke i shkuar mbrapa i mituri me të takuar të ndjerin dyshohet se ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, me katër plumba.
Në vend të ngjarjes ishin gjetur katër gëzhoja dhe nga plagët e marra, viktima Muhamet Lika në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.
Dosja përmend faktin edhe se nga momenti i hyrjes së të miturit R. B., në objekt deri në dalje janë 47 sekonda, pastaj rreth orës 22:58, nga kamerat e sigurisë vërehet duke u kthyer me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes së vrasjes duke ikur në drejtim të një lokali, ku bashkohet me të pandehurin – të dyshuarin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”, ndërsa nga audio incizimi i kësaj kamere ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”.
Dosja thotë se paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i mituri R. B. së bashku me të pandehurit – të dyshuarit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe lëvizjet e të dyshuarve tjerë, ndërsa pas vrasjes i dyshuari Diamant Gashi ka ndihmuar të miturin të largohet nga vendi i ngjarjes kurse i dyshuari Haki Bela rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes ndërsa pas 2 minutave ishte larguar nga aty.
Më 22.04.20245, në orën 13:00 është planifikuar që të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj gjashtë të arrestuarve për vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika.
KALLXO.com mëson se seanca u planifikua të mbahet në orët e pasdites pasi prokurori i rastit do të dërgoj edhe kërkesën për caktimin e masës së sigurisë.
Në një aksion të gjerë të Policisë ku morën pjesë qindra zyrtarë policor në Kaçanik, më 21 prill u arrestuan 7 persona të cilët dyshohet se organizuan e kryen vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika.