Dorëheqja pas certifikimit të rezultateve, Cakolli i KDI-së: Kurti shkeli ligjin

 

Eugen Cakolli nga KDI ka komentuar vendimin e kryeministrit Albin Kurti për të mos dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Ai tha se Kurti me këtë vendim ka shkelur ligjin.

“Absolutisht po, kryeministri Kurti me qasjen e tij dhe me refuzimin për të respektuar ligjin në tërësi dhe koncentrimin e tij për t’i zbatuar dy ligjet e nenit për qeverinë që vet kjo qeveri e ka miratuar unë besoj që përbën shkelje ligjore, për shkak se në këtë rast kryeministri në detyrë Albin Kurti i është referuar nenit 29 të ligjit për qeverinë, por që po t’i lexonte apo t’i referohet nenit 26, ai përcakton qartazi qeveria në detyrë që është  statuti aktual ligjor i Kurti duhet të japin dorëheqje, do të thotë nuk iu përfundon mandati, por duhet të japin decidivisht dorëheqje.”, tha ai.

Megjithatë ai tha se kjo përbën një shkelje administrative dhe në këtë rast sipas Cakollit, Kurti nuk i përgjigjet askujt.

“Po ekziston një mekanizëm kontrolli që është një komision për verifikimin e mandate ë themelohet në mbledhjen e konstituimit të Kuvendit” , tha ai.

Tutje theksoi se me certifikimin e zgjedhjeve KQZ-ja I ka hapë rrugë Presidentes Vjosa Osmani për të thirrur seancën konstituive të Kuvendit.

Ai tha se afati i fundit për thirrjen e kësaj seancë është 27 prilli i këtij viti.

 Sipas Cakollit presidentja nuk obligohet ligjërisht që të pres ndonjë hap nga Gjykata Kushtetuese.

“Për sa kohë që Gjykata Kushtetuese nuk e njofton Presidenten për masë të përkohshme, e që bazuar në përvojën e tanishme kanë qenë dhjetëra ankesa në Gjykatën Kushtetuese, filluar që nga zgjedhjet e vitit 2009, 2010, 2013, që partitë, kandidatë apo palë të tjera kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosin masë të përkohshme që vendimi për certifikimin e zgjedhjeve të mos prodhojë pasoja juridike, por që e përbashkëta e të gjitha këtyre rasteve është se Gjykata I ka refuzuar të gjitha, e në anën tjetër edhe trajtimi i rasteve që ndërlidhen me procesin zgjedhor nga ana e gjykatës kushtetuese kanë marrë edhe vite kohë që Gjykata të nxjerr vendime e edhe kur ka nxjerrë vendime të cilat natyrisht nuk kanë prodhuar ndonjë efekt juridik retroaktiv sepse ta zëmë se Gjykata nuk mund të vendos masë të përkohshme e ta lërë vendin pa konstituim të institucioneve”, tha ai.

Cakolli shtoi se Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të vendos masë të përkohshme por nuk është në praktikën e saj,

“E as në praktikën e ndonjë vendi tjetër, përjashto Rumaninë në zgjedhjet e fundit “, u shpreh ai në RTV21.