Donnarumma në udhëkryq, rinovimi ka ngecur. Chevalier në prapaskenë, çfarë po ndodh te PSG?

PSG i rikthehet stërvitjes të mërkurën në mëngjes, mes lojtarëve të grumbulluar në kampin e “Poissy” pritet të jetë edhe Gianluigi Donnarumma, pavarësisht zërave në rritje për një largim të mundshëm. Mediat franceze kanë raportuar prej javësh për një interes të fortë të PSG-së ndaj Lucas Chevalier të Lille, si dhe për stanjacionin e plotë të bisedimeve për rinovimin e kontratës së Donnarumma, që skadon në vitin 2026.

Prioritetet e klubit dhe interesat nga Premier League
Prej më shumë se një viti, Donnarumma dhe klubi kanë diskutuar për zgjatjen e kontratës, por palët nuk kanë gjetur ende një terren të përbashkët. PSG ka vendosur së fundmi të zbatojë politika të reja në rinovime, duke ofruar kontrata më fleksibël dhe me komponentë të lartë variabël, të bazuar në paraqitje dhe rezultate. Këto kushte nuk janë mirëpritur nga kampi i portierit italian, duke krijuar një situatë pezullimi që ka tërhequr interesin e disa klubeve angleze si Manchester United, Chelsea apo Manchester City, ndërsa në horizont vëzhgon edhe Real Madridi, ku Thibaut Courtois ka mbushur tashmë 33 vjeç.

Pasiguri dhe skenarë alternativë
Në këtë klimë të paqartë, PSG ka filluar të shikojë për alternativa. Emri më i lakuar është ai i Lucas Chevalier, 24 vjeç, për të cilin janë përfolur madje edhe detaje të një marrëveshjeje 5-vjeçare. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim konkret nga klubi. Në të njëjtën kohë, Galatasaray është lidhur me një interes për Matvei Safonov, portieri rus që iu bashkua PSG-së verën e kaluar për 20 milionë euro, por nuk arriti ta imponojë veten.

Një verë e nxehtë para fillimit të sezonit
Në prag të ndeshjes së parë zyrtare më 13 gusht kundër Tottenham në Superkupën Europiane, që do të luhet në Udine, situata mbetet e tensionuar. Dilemat mbi të ardhmen e Donnarumma dhe pasiguritë në portë i shtojnë presionin trajnerit Luis Enrique, i cili duhet të vendosë shpejt nëse do të vazhdojë të mbështetet tek italiani si titullar apo do të hapë një faqe të re me një emër të ri mes shtyllave. Çështja Donnarumma është kthyer në një nyje të vështirë për PSG-në, zgjidhja mund të sjellë pasoja të rëndësishme për merkaton verore dhe strukturën e skuadrës pariziene në sezonin e ri.

The post Donnarumma në udhëkryq, rinovimi ka ngecur. Chevalier në prapaskenë, çfarë po ndodh te PSG? appeared first on Telesport.