PSG dhe Gigio Donnarumma nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës, ndaj italiani pritet të largohet nga parizienët këtë verë. Kontrata aktuale e Donnarumma skadon në qershor të vitit 2026. Kërkesat e tij të larta financiare, i udhëhequr nga agjenti i tij Enzo Raiola, kanë shkaktuar shqetësim në zyrat e PSG-së.
Për të mos pasur asnjë surprizë të hidhur, drejtuesit e PSG-së kanë nisur nga puna për të nënshkruar me portierin e Lille, 23-vjeçarin Lucas Chevalier, i konsideruar si një nga portierët më të mirë të momentit në qarkullim.
Parizienët nuk duan ta humbin Donnarumma-n si lojtar i lirë. Ndaj, nëse nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës, italiani do të largohet për një shifër të arsyeshme. Për të ka interes nga disa klube të mëdha si Man. City, Man. United, Bayern apo dhe Inter në Serie A.
Në anën tjetër, Olivier Letang, president i Lille, e vlerëson Chevalier me 40 milionë euro, një shifër e lartë, por e pranueshme për klubin parizien, veçanërisht nëse largimi i Donnarumma-s finalizohet.
Luis Campos, drejtori sportiv aktual i PSG-së, e njeh mirë portierin premtues, pasi ka punuar me të gjatë kohës së tij në Lille dhe ka mbështetur zhvillimin e tij që kur ai po shfaqej në ekipet e të rinjve. Ndaj, ai po shtyn shumë që transferimi i Chevalier te PSG të mbyllet sa më shpejt.
The post Donnarumma drejt largimit, PSG gjen portierin e ri. 23-vjeç dhe kushton 40 milionë euro appeared first on Telesport.