Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje (Guxo), Donika Gërvalla Schwarz ka sulmuar gazetarët dhe mediat, në së paku dy postime në Facebook, teksa ka mbrojtur deputetin tjetër, Faton Peci.
“Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme ka shkruar, “Ju, që veç gazetarë nuk jeni, vazhdoni me gënjeshtra e sajime”, dhe gjithashtu “E hajt mos i quaj këta, që veç gazetarë nuk janë, mercenarë të gënjeshtrës dhe mashtrimit”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja e ka dënuar këtë gjuhë të papranueshme të zyrtares së lartë të partisë politke që ka udhëhequr më Kosovën në 4 vitet e fundit, dhe i kujton se sulme të tilla të orkestruara kanë ndikuar që Kosova të renditet më se keqi në rajon sa i përket lirisë së mediave.
Ky asociacion i bën thirrje Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj të vegjël, që të ndalojnë me retorikën nxitëse kundër mediave dhe gazetarëve.