Donald Trump i “rreh shpatullat” Netanyahut: Ka bërë punë shumë të mirë deri tani

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se e ka inkurajuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të vazhdojë fushatën e tij në Iran.

“Unë i thashë: Vazhdo. Flas me të çdo ditë me të. Ai është një njeri i mirë, që bën shumë”, tha Trump kur u pyet për mesazhin e tij drejtuar udhëheqësit izraelit mes tensioneve në rritje në rajonin e Lindjes së Mesme.

Biseda e fundit e Trump me Netanyahun ishte dje, ndërsa presidenti amerikan po shqyrton mundësinë e bashkimit të përpjekjeve të Izraelit kundër Iranit. Trump tha se besonte që Netanyahu është “trajtuar shumë padrejtësisht nga vendi i tij”, një referencë e dukshme për çështjet ligjore të vazhdueshme në Izrael.

I pyetur nëse i kishte dhënë Netanyahut ndonjë shenjë se mund ta ndihmojë vendin përtej asaj që ka bërë tashmë, Trump tha se nuk e kishte bërë.

“Jo. Deri më tani, ai ka bërë një punë të mirë. Ai është trajtuar shumë padrejtësisht. Ai është një kryeministër në kohë lufte dhe po kalon nëpër këtë marrëzi, është qesharake”, përfundoi Trump.