“Donacione” të rreme për gratë e kthyer nga Siria – Prokuroria në Prishtinë thërret qytetarët e dëmtuar për të dëshmur

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në lidhje me rastin e mashtrimit të zbuluar më 10 qershor 2025, ekziston dyshimi i bazuar se numri i viktimave është më i madh se sa është raportuar fillimisht.

Bazuar në të dhënat e reja të siguruara gjatë hetimeve, dyshohet se personat e përfshirë në këtë rast kanë mashtruar edhe shumë qytetarë të tjerë.

Me autorizim të prokurorit të çështjes, Policia e Kosovës ka bërë thirrje publike për të gjithë qytetarët që ndihen të mashtruar nga të njëjtit persona që të paraqiten në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), për të dhënë deklaratat e tyre në cilësinë e palës së dëmtuar.

Sipas komunikatës së mëhershme të Policisë, më 10 qershor, hetuesit nga DHKEK kishin arrestuar tre persona të dyshuar për mashtrim. Dy prej tyre ishin ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa i treti ishte liruar në procedurë të rregullt.

Të dyshuarit akuzohen se në bashkëveprim kanë mashtruar dhjetë gra, ish-pjesëmarrëse në luftërat në Siri dhe Irak, duke u premtuar donacione për reintegrim në shoqërinë kosovare.

Në vend të ndihmës së premtuar, viktimat ishin bindur të aplikonin për “donacione” në një institucion mikrofinanciar, por në realitet kishin nënshkruar kontrata për kredi në vlera nga 4,500 deri në 5,000 euro.

Gratë e mashtruara kishin kuptuar skemën kur institucioni financiar u kishte kërkuar pagesën e kësteve mujore të kredisë.

Deri më tani, Policia ka intervistuar dhjetë viktima, ndërsa vlera e përgjithshme e dëmit të shkaktuar llogaritet rreth 45 mijë euro.

Hetimet po vazhdojnë në koordinim të ngushtë mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.

Autoritetet nxisin qytetarët që kanë informacione ose janë prekur nga kjo skemë mashtruese, të paraqiten sa më parë pranë organeve hetimore.

Pas tërheqjes së parave nga bankat, secila prej tyre kishte marrë vetëm 500 euro në dorë, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se ishte përvetësuar nga të dyshuarit.

The post “Donacione” të rreme për gratë e kthyer nga Siria – Prokuroria në Prishtinë thërret qytetarët e dëmtuar për të dëshmur appeared first on Kosovapost.net.