Donacione për Vetëvendosje – Bileta drejt bordeve publike: Si u avancuan punëtorët e Telekomit të Kosovës?

Sanije Sahitaj, Nuredin Hyseni, Selvete Hyseni, Shpëtim Zharku – Menaxher për Menaxhmin e Regjioneve në departament Teknik dhe Shukrin Zeqiri , përveç që ndajnë vendin e punës në Telekomin e Kosovës, i bashkon edhe diçka tjetër – dashuria për partinë e zemrës, Lëvizjen Vetëvendosje.

Emrat e këtyre punëtorëve të ndërmarrjes publike u gjetën në listën e donatorëve të kësaj partie gjatë vitit 2025.

Ndonëse shumat e dhuruara si donacione mujore për partinë e kryeministrit në detyrë nuk ishin të mëdha, përfitimet që morën dhe vazhdojnë të marrin, nuk janë aspak të vogla.

Në disa raste, këto përkrahje financiare përputhen në mënyrë të çuditshme me emërime të reja në pozita të rëndësishme.

Kjo ngjall dyshime mbi lidhjen mes kontributeve dhe avancimeve në karrierë.

Më 4 shkurt të këtij viti, çifti Nuredin dhe Selvete Xhikolli Hyseni dhanë nga 50 euro në muaj nga buxheti i tyre familjar për ta mbështetur financiarisht Lëvizjen Vetëvendosje – parti që tash e pesë vjet udhëheq ekzekutivin dhe aktualisht është në pritje të mandatit të tretë.

E gjithë kjo mund të dukej në rregull, nëse emrat e tyre nuk do të përfshiheshin në matematikat e emërimeve dhe shpërblimeve nëpër institucione publike.

Selvete Hyseni, bashkëshortja e Nuredinit, mori ditë më parë një post të rëndësishëm në një tjetër ndërmarrje publike.

Me vendim të kryeministrit në largim, më 16 prill 2025 ajo u emërua njëra nga katër anëtaret e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh.A.”

Votimi për emërimin e saj u bë me vota unanime nga kabineti në largim, mandati i të cilit ka përfunduar që në shkurt.

I kontaktuar nga Kiks Kosova, bashkëshorti i saj, Nuredin Hyseni, e ka mbyllur telefonin pa dashur të japë ndonjë sqarim nëse financimi i partisë ka qenë kusht për emërimin e gruas së tij në këtë pozitë.

Nga ana tjetër, vetë Selvete Hyseni, e cila mban postin e udhëheqëses së ekipit të financave në Telekomin e Kosovës, nuk e ka hapur telefonin.

Një tjetër mbështetëse e Vetëvendosjes është Sanije Sahitaj, e cila dhuroi 50 euro për partinë vetëm katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve qendrore.

Shuma që ajo dha mund të jetë simbolike, por shpërblimi që mori tejkalon simbolikën dhe lidhet pikërisht me numrin 50.

Sahitaj është emëruar këshilltare e Kryeshefit Ekzekutiv, Burbuqe Hana, me pagë mujore 1,400 euro për një periudhë trevjeçare. Llogaritë janë të thjeshta: për 36 muaj, ajo do të përfitojë 50,400 euro.

Emërimi i saj është bërë në tetorin e kaluar.