Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është “bllokuar” në procesin e numërimit të votave. Në këtë mënyrë, KQZ-ja po i shkelë afatet e veta për shpallje dhe certifikim të rezultateve të 12 tetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot, por jo për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që janë mbajtur më 12 tetor.
Në këtë mbledhje, e cila do të fillojë në ora 14:30, KQZ-ja pritet të vendosë për rinumërimin e disa vendvotimeve nga këto zgjedhje.
Ndonëse 22 tetori” ishte afati i planifikuar nga KQZ për të shpallur “Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve për Subjektet Politike dhe Kandidatët”, një gjë e tillë nuk po mund të arrihet.
Kjo sepse numërimi i votave me “shpejtësinë e breshkës” po tejkalon planifkimet.
Tejkalimi i këtij afati do të ndikojë edhe në “shkeljen” e afatit tjetër për certifikimin e rezultateve përfundimtare, që ishte planifikuar të bëhej në 25 tetor.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e komunave duhet të mbahet në 9 nëntor.
Gazeta Nacionale ka siguruar planin operacional të KQZ-së.
Sipas planifkimeve të KQZ-së në Qendrën për Numërim dhe Rezultate deri në 21 tetor do të duhej të përfundonte numërimi i votave me postë, me kusht dhe VPNV, por kjo nuk ka ndodhur ende.

Sipas lajmeve të fundit të përditësuara nga KQZ, të orës 10:00 të ditës së sotme, e mërkurë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultatave (QNR) është drejt përfundimit numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, proces i cili filloi një ditë më parë.
Bëhet fjalë vetëm për 2,100 zarfe me fletëvotime.
Por, as votat e votimit me kusht s’do të jenë të fundit që do të numërohen. Sipas njoftimit të KQZ-së, pas tyre, në këtë qendër do të vijojë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit të personave me nevoja të veçanta, i cili është zhvilluar në ditën e zgjedhjeve jashtë vendvotimeve dhe përmes ekipeve mobile. Numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është 3,467.
KQZ: Kjo është rruga për shpallje dhe certifikim të rezultateve përfundimtare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpjeguar se shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi përbëjnë dy faza kryesore pas ditës së votimit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, nuk ka përmendur askund datat e planifikuara për shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare. Në një deklarim për EkonomiaOnline, ai vetëm ka shpjeguar rrugën që e ndjek KQZ për të shpallur dhe certifikuar këto rezultate.
“Rruga që ndjek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe më pas për certifikimin e tyre, përfshin disa hapa të rëndësishëm. KQZ shpall rezultatet përfundimtare vetëm pasi të përfundojnë këto procese: verifikimi dhe numërimi i rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit; numërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, votimi me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta; dhe pasi të përfundojë shqyrtimi i akesave të mundshme nga PZAP ose Gjykata Supreme për administrimin e numërimit”, ka shpjeguar Elezi.
Por, sipas KQZ-së, me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet procesi zgjedhor, pasi do të hapet një afat i ri ankesash lidhur me rezultatet e shpallura.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor. Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në PZAP dhe më pas, çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, citohet të ketë thënë Elezi.