DOKUMENT | Faton Peci ndërpreu memorandumet me OJQ-të pas akuzave për korrupsion

Në prag të garës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci bart me vete një bagazh të rëndësishëm nga koha sa ishte Ministër i Bujqësisë. Në mars të vitit 2024, ai nënshkroi një vendim me të cilin ndërpreu memorandumin e bashkëpunimit me disa nga organizatat më të fuqishme të shoqërisë civile në vend – GLPS, Instituti GAP dhe INDEP. Arsyeja ishte se këto organizata kishin ngritur shqetësime për korrupsion në shpërndarjen e subvencioneve në ministrinë e Pecit, shkruan Demorkacia.com.

Në mars të vitit 2024, Ministria e Bujqësisë, e drejtuar nga Faton Peci, mori një vendim të për të ndërprerë memorandumin e bashkëpunimit me disa prej organizatave të shoqërisë civile. Ky memorandum, i nënshkruar vetëm një vit më parë, kishte për qëllim rritjen e transparencës në shpërndarjen e granteve dhe pagesave direkte për fermerët, përmes monitorimit të pavarur nga organizatat e përfshira.

Në vendimin me numër referent KM-70/24, të datës 08.03.2024, thuhet qartë se: “Ndërprehet bashkëpunimi i lidhur ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Institutit GAP dhe Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) e lidhur me datën 30 Mars 2023, nga palët nënshkruese, Ministri i MBPZhR-së z. Faton Peci dhe znj. Arbëresha Loxha Stublla, Drejtoreshë Ekzekutive e GLPS-së.”

Në arsyetim, ministria pretendon se konsorciumi i OJQ-ve kishte shkelur dispozitat e memorandumit, duke “mos i përdorur në mirëbesim dhe për qëllime të tjera” dokumentet e marra nga institucioni.

Vendimi thekson se “Konsorciumi ka bërë shkelje substanciale – mosrespektim, keqpërdorim, keqinterpretim dhe shfrytëzim të këtij bashkëpunimi të lidhur me dokumentet e marra nga MBPZhR, me cilat i krijon imazh jo të mirë dhe destruktiv këtij institucioni.”

Në thelb, vendimi nuk lidhet me mangësi teknike të organizatave, por me deklaratat publike të një përfaqësueseje monitoruese të projektit, Laura Nushi, e cila kishte folur për akuzat e mundshme të korrupsionit brenda ministrisë. Në dokument kjo pranohet haptazi:

“Ky Vendim është marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm të deklaratave publike të zyrtares monitoruese, znj. Laura Nushi, të financuara nga projekti britanik, e cila ka përfshirë akuzat e mundshme të korrupsionit brenda institucionit.”

Pra, një memorandum i nënshkruar për të garantuar transparencë dhe monitorim u ndërpre pikërisht kur transparenca nisi të japë rezultatet e saj me publikimin e dyshimeve për keqpërdorime. /Demokracia.com/