DOKUMENT | “Çlirimtari” i Shtimes nën hetime për keqpërdorim të pronës publike

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është duke u hetuar për keqpërdorim të pronës publike. Për këtë rast tashmë edhe një Kallëzim Penal i është dorëzuar në Prokurorinë Speciale.

Organizata joqeveritare “Lëvizja për Demokraci” ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, duke vënë në qendër të hetimeve Kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliun dhe Drejtorin për Planifikim Urban, Kadastër dhe Gjeodezi, Grejtalb Eminin.

Sipas dokumentit të siguruar nga Demokracia.com, dy zyrtarët komunalë dyshohet se kanë ndihmuar në uzurpimin dhe keqpërdorimin e pronës publike, përmes veprimeve dhe mosveprimeve që bien ndesh me legjislacionin në fuqi dhe interesin publik.

Në kallëzimin penal të dorëzuar më 30 prill 2025 përmenden edhe prova konkrete që, siç mësohet nga burime brenda Komunës së Shtimes, tashmë janë në duart e Prokurorisë Speciale në Prishtinë.

“Zyrtarët janë vënë nën hetim për veprat penale: Mosveprim sipas detyrës zyrtare (Neni 8, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës – Nr. 06/L-074) Dëmtim i të drejtave pronësore të personit tjetër (Neni 332 i KPRK)”.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur kryetari Qemajl Aliu është përballur me akuza të përsëritura nga përfaqësues të opozitës për pazare politike dhe shkelje të procedurave ligjore. Për më tepër, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka konstatuar një numër të konsiderueshëm vendimesh të kundërligjshme nga Komuna e Shtimes, shumë prej të cilave lidhen drejtpërdrejtë me këtë rast, i cili tashmë është në duart e drejtësisë.

Demokracia.com ka mësuar se veprimet e dy zyrtarëve jo vetëm që pretendohet se përbëjnë shkelje të ligjit, por kanë dëmtuar ndjeshëm edhe interesin publik dhe kanë krijuar mundësi për përfitime të padrejta në dëm të qytetarëve.

Prokuroria Speciale pritet të zhvillojë hetime të hollësishme që do të ndriçojë më tej këtë çështje. /Demokracia.com/