Dogana sekuestron mbi 700 palë patika të dyshuara si falsifikime

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zbuluar dhe ndaluar një sasi prej 720 palësh patika gjatë një kontrolli të detajuar të një ngarkese komerciale. Sipas autoriteteve, mallrat e sekuestruara dyshohet se shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale.

“Pas verifikimit të kryer nga oficerët doganorë, është konstatuar se mallrat e ndaluara përfaqësojnë imitim të markave të mbrojtura ndërkombëtarisht, duke përbërë shkelje të legjislacionit në fuqi që rregullon të drejtën e pronësisë intelektuale”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Institucioni theksoi përkushtimin e tij për të parandaluar hyrjen e produkteve të falsifikuara në tregun e brendshëm.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtjen e tregut të brendshëm nga hyrja e produkteve të falsifikuara, të cilat dëmtojnë konsumatorin, bizneset e ndershme dhe ekonominë e vendit”, vijon njoftimi.

Rasti është duke u trajtuar konform procedurave ligjore në fuqi.