Dogana e Kosovës, ka parandaluar dy raste kontrabande në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.
“Rasti i parë: Gjatë një kontrolli të detajuar mbi një automjet të udhëtarëve, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, zyrtarët doganorë zbuluan dhe sekuestruan rreth 300 gram argjend të padeklaruar. Malli ishte fshehur me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore dhe futjes ilegale në tregun e Kosovës. Rasti i dytë: Në një rast tjetër, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër, zyrtarët doganorë zbuluan sasi të konsiderueshme produktesh të qumështit, të cilat po tentohej të kontrabandoheshin pa dokumentacionin e nevojshëm shoqërues dhe pa respektuar rregullat e importit të produkteve me prejardhje shtazore”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit mallrat janë sekuestruar dhe procedurat ligjore janë duke u ndjekur në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe në mbrojtjen e ekonomisë dhe shëndetit të qytetarëve, duke parandaluar hyrjen e mallrave të paligjshme dhe të rrezikshme në treg./Kosovapress/