Dogana ndalon dhe asgjëson mbathje sportive të falsifikuara në Aeroportin e Prishtinës

Një sasi e konsiderueshme mbathjesh sportive për meshkuj është ndaluar dhe asgjësuar nga Dogana e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi u konstatua se ishin të falsifikuara dhe cenonin të drejtën e pronësisë intelektuale.

Mallrat, që mbanin shenjat dalluese të disa prej brendeve më të njohura ndërkombëtare, u identifikuan gjatë një kontrolli rutinë në ZBD Aeroport – Cargo, thuhet në komunikatën e Doganës në Facebook.

Pas ekzaminimit të detajuar, u vërtetua se ato ishin kopje dhe për rrjedhojë u shkatërruan në mënyrë të kontrolluar, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve doganorë.

“Ndaj subjektit përgjegjës janë ndërmarrë masat ligjore përkatëse, të parapara me legjislacionin në fuqi, për përfshirje në tregti të ndaluar dhe cenim të pronësisë intelektuale.

Dogana qëndron e vendosur në luftën kundër kontrabandës dhe falsifikimeve, duke siguruar mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe konsumatorëve”.