Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë sekuestruar 80,000 copë cigare pa banderola, gjatë një operacioni të zhvilluar në qytetin e Mitrovicës.
Dogana përmes një njoftimi ka bërë të ditur se cigaret u gjetën në dy autobusë që operonin në linjën Serbi–Kosovë, të cilët u ndaluan për kontroll në orët e vona të mbrëmjes.
Fillimisht, për shkak të kushteve të kufizuara për inspektim të detajuar, zyrtarët doganorë hasën në një sasi cigaresh të fshehura në sistemet e ajrosjes së njërit prej autobusëve.
“Kontrolli i thelluar zbuloi hapësira të improvizuara për fshehjen e mallrave (“bunkerë”), si dhe cigare të kontrabanduara në tualetin e autobusit. Sasia totale e cigareve të konfiskuara arrin në 80,000 copë, të gjitha pa banderola dhe të dyshuara se ishin destinuar për shitje në tregun e brendshëm të Kosovës, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë konfirmuar se rasti është proceduar për hetime të mëtutjeshme në koordinim me Prokurorinë Themelore.
The post Dogana konfiskon 80,000 copë cigare të kontrabanduara në Mitrovicë appeared first on Kosovapost.net.