Dogana e Kosovës tejkalon 1 miliard euro të hyra – rritje prej 9.7 për qind krahasuar me vitin e kaluar

Dogana e Kosovës ka shënuar një sukses të rëndësishëm fiskal duke mbledhur mbi 1 miliard euro të hyra deri në javën e tretë të korrikut 2025, që përfaqëson një rritje prej 9.7% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në vitin 2024, në këtë periudhë ishin mbledhur 912 milionë euro, ndërsa këtë vit tejkalimi është konsiderueshëm edhe ndaj planit vjetor të paraparë.

Sipas komunikatës zyrtare të Doganës, ky rezultat është dëshmi e qartë e përmirësimeve strukturore dhe efikasitetit në menaxhim, përkundër faktit se “politikat fiskale efektivisht në norma tatimesh janë ulur ndjeshëm”.

“Pas pandemisë, Dogana e Kosovës ka arritur që rritja në mbledhjen e të hyrave të tejkalojë ritmin e rritjes ekonomike mbi dyfishin e vlerës”, thuhet në komunikatë, duke theksuar edhe ndërhyrjet e suksesshme në ekonominë informale.

Një element tjetër i rëndësishëm është angazhimi i vazhdueshëm institucional për luftimin e ekonomisë joformale dhe forcimin e sundimit të ligjit. Sipas Doganës, kontributi në zonat më sfiduese, si Mitrovica Veriore, dhe pezullimi i disa veprimtarive të dyshuara në sektorin e derivateve, ka ndikuar dukshëm në rezultatet e arritura.

“Këto rezultate janë fryt i efikasitetit në performancë, masave konkrete për lehtësimin e tregtisë, si dhe një përkushtimi të vazhdueshëm në modernizimin dhe digjitalizimin e proceseve,” thekson më tej Dogana.

Institucioni ka shprehur mirënjohje për Qeverinë e Kosovës, për institucionet e zbatimit të ligjit si dhe për partnerët ndërkombëtarë që mbështesin në operacionet doganore dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Po ashtu, është vlerësuar kontributi i stafit si element thelbësor i këtij suksesi:

“Stafi ynë mbetet shtylla kryesore e këtij suksesi. Me përkushtimin e tyre të vazhdueshëm, ata sigurojnë rezultate që i shërbejnë drejtpërdrejt publikut,” thuhet në deklaratë.

Duke parë trendin e deritanishëm, Dogana e Kosovës parashikon që ky ritëm i mbledhjes së të hyrave do të vazhdojë edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit, duke garantuar qëndrueshmëri buxhetore dhe përmirësim të vazhdueshëm të shërbimeve për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

The post Dogana e Kosovës tejkalon 1 miliard euro të hyra – rritje prej 9.7 për qind krahasuar me vitin e kaluar appeared first on Kosovapost.net.