Dogana e Kosovës parandalon tri raste kontrabande në Aeroportin e Prishtinës

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni të zhvilluar sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, zyrtarët doganorë kanë parandaluar tri raste të tentim kontrabandës, duke përfshirë dy raste me telefona dhe një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare.

Sipas komunikatës zyrtare, gjatë kontrollit të një pasagjeri që kishte ardhur nga një linjë ndërkombëtare, janë zbuluar disa telefona të fshehur në trupin e tij, të cilët dyshohet se ishin të destinuar për tregun e zi. Në një rast tjetër, tek një udhëtar tjetër u gjetën telefona të mençur të kontrabanduar.

Po ashtu, gjatë kontrollit të bagazhit të një pasagjeri, zyrtarët doganorë zbuluan 36,500 euro të padeklaruara, nga të cilat 9,000 euro janë konfiskuar, në pajtim me legjislacionin që rregullon qarkullimin e mjeteve monetare në kufi.