Dogana e Kosovës me rezultate pozitive, mbi 400 milionë euro të hyra në muajin mars

Muaji mars shënoi rezultate pozitive për Doganën e Kosovës, me rritje të qëndrueshme të të hyrave dhe avancim të reformave në lehtësimin e tregtisë.

Sipas një njoftimi nga Dogana e Kosovës bëhet e ditur se të hyrat arritën në 431 milion euro, duke shënuar rritje prej 4.5% krahasuar me vitin paraprak, ndërsa vetëm gjatë marsit u realizua një rritje prej 12.7%.

“Sistemi i zhdoganimit para arritjes po transformon proceset, duke reduktuar kohën e pritjes dhe kostot për bizneset. Në kuadër të luftës kundër ekonomisë joformale, janë zbuluar mallra të dyshuara për kontrabandë në vlerë rreth 800 mijë euro në rajonin e Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se në nivel ndërkombëtar, Dogana e Kosovës u rendit në top 10 vendet më të suksesshme në operacionin STOP IV, duke u pozicionuar e 7-ta nga 119 shtete pjesëmarrëse.