Dogana e Kosovës ia konfiskon rreth 20 mijë euro një shtetasi të Serbisë

Dogana e Kosovës njofton se zyrtarët doganorë kanë sekuestruar 20 mijë euro të padeklaruara në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.

Sipas Doganës, gjatë një kontrolli rutinë të automjeteve që hynin në territorin e Republikës së Kosovës, doganierët kanë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej afro 20 mijë euro.

“Mjetet monetare janë gjetur në posedim të një shtetasi të Serbisë, i cili po hynte në territorin e Republikës së Kosovës. Paratë e sekuestruara përbëheshin kryesisht nga monedha në dinarë serb, ndërsa pjesa tjetër në valutën euro. Mjetet monetare nuk ishin deklaruar sipas rregullave doganore në momentin e hyrjes. Sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës çdo shumë monetare mbi 10,000 euro që hyn ose del nga territori i vendit duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore”, thuhet në njoftim.

Andaj, Dogana thekson se mosdeklarimi i këtyre mjeteve përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave administrative dhe ndëshkuese, si dhe hetimeve të mëtejshme.