Dodik paralajmëron ndërprerjen e financimit të partive në Republikën Srpska

Ai nuk sqaroi se në çfarë mënyre do të zbatohet ky vendim.

Presidenti i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Milorad Dodik, ka njoftuar se me 15 maj do të ndërpritet financimi i të gjitha partive politike nga buxheti qendror i BeH.

Dodik këtë e deklaroi pas një takimi të përfaqësuesve të partive që janë pjesë e koalicionit në Republikën Srpska.

Ai nuk sqaroi se në çfarë mënyre do të zbatohet ky vendim.

Ditë më parë përfaqësuesi i lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, urdhëroi pezullimin e fondeve të destinuara ndaj dy partive që operojnë në entitetin serb në Bosnje e Hercegovinë.

Është fjala për partinë politike të udhëhequr nga presidenti i Republika Srpska-s, Milorad Dodik – Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur – dhe partnerin e koalicionit të Dodik-ut – Partia e Sprks a Bashkuar.

Sipas Schmidt pezullimi i financimit vlen për buxhetet në të gjitha nivelet.

“Të gjitha fondet për këto parti, në të gjitha nivelet e qeverisjes, do të pezullohen dhe do të ridrejtohen në një llogari të posaçme në Bankën Qendrore të Bosnjë-Hercegovinës”, tha Schmidt.

Sipas të dhënave nga raportet financiare të partive politike, SNSD ka marrë pak më shumë se dy milionë marka (rreth një milion euro) nga buxheti në të gjitha nivelet vitin e kaluar, ndërsa Srpska e Bashkuar ka marrë 395 mijë marka (rreth 200 mijë euro).