Radio Evropa e Lirë – Millorad Dodik, presidenti i entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, është dënuar me vendim të formës së prerë të premten, më 1 gusht, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, merr vesh Radio Evropa e Lirë.
Aktgjykimin e ka shpallur trupi gjykues prej tre anëtarësh, i përbërë nga Amella Huskiq, Vesna Jesenkoviq dhe Hillmo Vuçiniq.
Ky trup gjykues e ka konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë të 26 shkurtit, me të cilin Milorad Dodik është dënuar me një vit burgim dhe ndalim prej gjashtë vjetësh për ushtrimin e funksioneve politike.
Kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kanë ushtruar ankesë si ekipi juridik i Dodikut, ashtu edhe Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës.
Prokuroria ka kërkuar ashpërsimin e dënimit me burg, si dhe zgjatjen e ndalimit për ushtrimin e funksioneve, ndërsa mbrojtja ka kërkuar anulimin e aktgjykimit.
Dodik është shpallur fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më herët ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.
The post Dodik dënohet për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë appeared first on Kosovapost.net.