“Do të jetojmë 150 vite”, Putin dhe Xi harrojnë mikrofonët hapur, flasin për pavdekshmërinë

Reuters ka publikuar detajet e një bisede të pacensuruar midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij kinez Xi Jinping, teksa ecnin krah për krah drejt sheshit Tiananmen, ku dëgjohen të flasin për pavdekshmërinë.

Momenti kur Putin, Xi dhe Kim Jong Un ecën së bashku drejt vendit ku u zhvillua parada ushtarake që shënonte 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ishin duke folur u transmetua drejtpërdrejt nga shumë media.

Kur Putin ishte përkrah Xi Jinping, një mikrofon i hapur i kapi ata duke diskutuar për transplantimin e organeve dhe mundësinë e jetesës së njerëzve deri në 150 vjeç.

Në një moment përkthyesi i Putinit dëgjohet të thotë në gjuhën kineze: “Bioteknologjia është në zhvillim të vazhdueshëm.

Përkthyesi shtoi , pas një pasazhi të pakuptueshëm: “Organet njerëzore mund të transplantohen gjatë gjithë kohës. Sa më gjatë të jetosh, aq më i ri bëhesh dhe (mund) madje të arrish pavdekësinë.

Në përgjigje, Xi, i cili nuk ishte në kamera, u dëgjua të përgjigjej në gjuhën kineze: “Disa parashikojnë se në këtë shekull njerëzit mund të jetojnë deri në 150 vjeç.

Sakaq, Kim Jong Un po buzëqeshte dhe po shikonte në drejtim të Putinit dhe Xi-së, por nuk ishte e qartë nëse biseda po përkthehej për të. Reuters vuri në dukje se Putin nuk mund të dëgjohej duke folur qartë në rusisht në videon e kamerave të sigurisë.

Kur Xi filloi të fliste, videoja tregoi një pamje më të gjerë të Sheshit Tiananmen dhe zëri u zbeh. Pak më shumë se 30 sekonda më vonë, Xi, Putin dhe Kim u rishfaqën në kamera ndërsa ngjisnin shkallët për në platformën nga ku ndoqën paradën.

Momenti u transmetua drejtpërdrejt nga transmetuesi shtetëror ÇTV por edhe media të tjera, përfshirë transmetuesin shtetëror të Kinës CGTN, AP dhe Reuters.

Administrata e Radios dhe Televizionit të Kinës tha se mbulimi i ngjarjes nga ÇTV kishte 1.9 miliardë shikime në internet dhe më shumë se 400 milionë në televizion./A2

The post “Do të jetojmë 150 vite”, Putin dhe Xi harrojnë mikrofonët hapur, flasin për pavdekshmërinë appeared first on Kosovapost.net.