Zgjedhjet e shpeshta në 16 muajt e fundit kanë ndikuar në lodhjen e qytetarëve për të marrë pjesë në votim, kanë vlerësuar drejtuesit e organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” në deklaratën preliminare pas vëzhgimit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas hulumtuesit Eugen Cakolli, përqindja e daljes së qytetarëve në këto zgjedhje ishte më e ulëta në dekadën e fundit.
“Janë karakterizuar nga një lodhje e cila është manifestuar me riciklim të ofertave politike dhe pastaj ulje të motivimit qytetarë për të marrë pjesë në zgjedhje. Me ç’rast kemi shënuar daljen në zgjedhje përqindjen më të ulët për gati një dekadë”, ka thënë Cakolli.
Dalja në zgjedhje ishte më e ulët se 40 për qind.
Cakolli ka thënë se i gjithë procesi zgjedhor është karakterizuar nga qetësia dhe mungesa e parregullsive të theksuara.
“Dita e zgjedhjeve është zhvilluar në atmosferë të qetë dhe besojmë se kjo ditë e zgjedhjeve është prej më të rregulltave që janë organizuar në historinë e re të Kosovës, si për nga numri i incidenteve serioze dhe ashtu për nga përmirësimi i mangësive që i kanë karakterizuar zgjedhjet paraprake”, ka thënë ai.
Në konferencën për media ai ka folur edhe për fushatën elektorale, për të cilën ka thënë se nuk ishte e barabartë, pasi vendimi i Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për disa kategori shoqërore ka krijuar avantazh të padrejtë për subjektet në pushtet në raport me partitë e tjera politike.
Cakolli ka deklaruar se procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon në mënyrë të rregullt dhe pa incidente që do të cenonin integritetin e procesit.
Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje parlamentare dhe ato lokale me balotazh që nga 9 shkurti i vitit 2025.








