Djegia e milionave

Edhe 4 milionë euro të taksapaguesve kosovarë do të shkojnë për projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

Përveç garancisë shtetërore, e cila do të jetë afërsisht 260 milionë euro që Qeveria dhe Kuvendi duhet të lëshojnë për këtë projekt 1.3 miliardë eurosh, Ministria e Zhvillimit Ekonomik tashmë ka shpallur edhe tender për “Shërbimet konsulente në formë të Inxhinierit të Pavarur të Qeverisë dhe Konsulentit të Pavarur Mjedisor dhe Social për TC ‘Kosova e Re’”.

Ky tender është shpallur më 3 maj, në ditën kur “Contour Global” dhe Qeveria e Kosovës kanë përzgjedhur konsorciumin e kompanive “General Electric” (GE) për inxhinieringun, prokurimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen afatgjate për projektin në fjalë, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas MZHE-së, ky është obligim dhe përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës e paraparë me marrëveshje për zbatim. Edhe pse projekti ende nuk ka filluar që të ndërtohet, sipas MZHE-së, inxhinieri i pavarur do të ketë për obligim që të përgatitë studimin e efikasitetit termik si dhe studimin për teknologjinë më të mirë në dispozicion, nëse e njëjta është përdorur për ndërtimin e TC “Kosova e Re” siç parashihet me marrëveshjet kontraktuese ndërmjet QK-së dhe CG-së.

Shërbimi i këtij eksperti do të jetë për 6 vjet nga data e kontraktimit.

Kjo është vetëm një nga kostot që do të paguajnë qytetarët e Kosovës për ndërtimin e këtij projekti. Kjo pasi, sipas ekspertëve, organizatave të shoqërisë civile dhe partive opozitare, marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në çmime për konsumatorët. Sipas përllogaritjeve të tyre, varësisht nga kostoja finale e ndërtimit, tarifa e energjisë çdo të rritet nga 60 deri në 90 për qind për qytetarët e Kosovës.

Qytetarët do të paguajnë edhe për mihjen e re 300 milionëshe, edhe për fabrikën e ujit, të tharjes së qymyrit dhe studime të tjera që do të bëjnë rreth kësaj çështjeje.

Qeveria Haradinaj vetëm tre muaj pasi kishte ardhur në pushtet kishte nënshkruar marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të ketë për bazë thëngjillin. Edhe pse ishte thënë se ndërtimi i termocentralit do të fillonte në pjesën e parë të këtij viti, për shkak që investitori nuk ka siguruar ende mjetet e nevojshme financiare për ndërtim, realizimi i projektit është zvarritur.