Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka kërkuar sqarime nga UEFA rreth incidentit te djeshëm në Beograd lidhur me djegien e flamurit të Kosovës gjatë Kongresit të UEFA-s në Beograd.
Kjo ngjarje ka ndodhur kur flamuri i Kosovës, i vendosur mes flamujve të shteteve të tjera, u mor nga huliganët dhe u dogj para ambienteve ku po mbahej Kongresi, transmeton Klankosova.tv.
“Ky akt përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj simboleve shtetërore të Kosovës, por edhe ndaj vlerave themelore të sportit: respektit, barazisë dhe përfshirjes”, thuhet në reagimin e KOK-ut.
Po ashtu, ky komitet ka bërë thirrje që organizatorët të marrin masa ndaj atyre që ishin përgjegjës për heqjen dhe djegien e flamurit.
“Kosova dhe institucionet tona sportive janë anëtare të barabarta në të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe, si të tilla, duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt në çdo ngjarje sportive, pavarësisht se kush është vendi mikpritës”, shtoi KOK.