Në një rrugicë të Gjuhadolit, një prift ndjek një hije, ndërsa hija e tij e ndjek pas – kështu nis rrëfimi i Ben Blushit në ekspozitën “Shqiptarë të Panjohur”.
Sipas tij, fotografia me titullin ”Djalli dhe Prifti” është një udhëtim vizual në marrëdhënien e ndërlikuar mes shpirtit dhe tundimit, transmeton klankosova.tv.
Ekspozita qëndron e hapur në COD deri më 30 prill.
”DJALLI DHE PRIFTI
Kjo fotografi që tregon një prift katolik, duke ndjekur një hije, ndërkohë që edhe vetë ndiqet nga hija e tij, është bërë në Shkodër diku në Gjuhadol.
Kur m’u desh t’i gjeja një diciturë për ekspozitën time “Shqiptarë të Panjohur”, vendosa ta titulloj Djalli dhe Prifti.
Shumë njerëz që e kanë parë, më kanë pyetur se kush është kuptimi i kësaj fotoje dhe atëherë i kam shpjeguar se çdo prift ndiqet nga një djall sepse të largojnë djallin nga jeta jonë është arsyeja pse priftërinjtë ekzistojnë.
Megjithatë ky shpjegim do ishte i vlefshëm për secilin prej nesh, sepse të gjithë ne ndiqemi nga një djall dhe po ashtu gjithë kohën ndjekim djajtë e të tjerëve që na tërheqin në errësirë, në një rrugë pa krye, në ves dhe në mëkat sipas doktrinës fetare.
Kështu që Djalli dhe Prifti do vazhdojnë të jenë bashkë të pandarë, herë duke u zënë dhe herë duke shëtitur qetësisht nëpër rrugët e Shkodrës, siç ndodhi edhe atë ditë kur i fotografova në Gjuhadol.
Meqë ra fjala kushdo që do të shikojë Djallin dhe Priftin, mund ta bëjë duke shkuar në ekspozitën time fotografike e cila do jetë e hapur deri në 30 prill në COD”, shkruan ai në facebook.