Dixon: Veseli s’mund të shpallet fajtor vetëm me thashetheme

Avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, Rodney Dixon në fjalën përfundimtare në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, tha se Veseli nuk mund të shpallet fajtor vetëm në prova të patestuara dhe thashethemeve, raporton Ekonomia Online.

“ZPS-ja kur foli të hënën foli shumë pak për zotëri Veselin, deri në momentin kur nga fundi, zotëri Howling iu rikthye trillimit të ZPS-së, të ligjeve dhe fakteve për një përpjekje të fundit për të përfshirë zotëri Veselin. Sipas nesh, deri në këto momente nuk u tha asgjë, madje edhe kur thanë, thanë fjalë boshe. Asgjë deri në fund të fjalës së ZPS-së, sepse nuk kanë asnjë përgjigje për akuzat që ngritëm ne sa i takon argumenteve të tyre ndaj zotëri Veselit. Por sidoqoftë, ata pretendojnë se ne nuk kemi trajtuar themelësinë e akuzave të ZPS-së. Është akuzë e rëndë kjo. Sepse ajo që bëmë ne javën e kaluar, ishte trajtimi i të gjitha akuzave, një nga një, të paraqitura nga ZPS. Mbrojtja mbështetet në të drejtat më themelore që duhen të jenë në çdo gjykim penal, pra e thënë shkurt, të testohen provat ndaj të akuzuarve. ZPS-ja po përpiqet të shfrytëzojë pikërisht fillin e artë të të drejtës penale për të lidhur klientin tim. Ky parim ligjor është i padiskutueshëm, gjykata nuk mund të shpall fajësinë për një person, nëse kjo shpallje fajësie do të mbështetet vetëm mbi prova të patestuara dhe thashetheme”, deklaroi ai.