Ditë vendimtare të merkatos së Napolit, për sulmin synohet Grealish ose Chiesa

Napoli largohet për momentin nga gara për Ademola Lookman. Të paktën tani për tani, deri në një urdhër të ri. Lojtari prej kohësh ka një marrëveshje me Interin dhe e ka bërë zgjedhjen e tij, kështu që në pritje që zikaltrit dhe Atalanta të rinisin kontaktet për të arritur një marrëveshje përfundimtare, drejtori sportiv Manna do të merret me pista të tjera. Pastaj, nëse situata ndryshon, në rast se “Dea” dhe blerësi kryesor nuk arrijnë marrëveshje, atëherë rruga mund të rihapet.

Pista “Ndoye” – Ndërkohë, rruga që çon te Dan Ndoye vazhdon të jetë e vështirë. Vlerësimi që ka bërë Bologna, fillimisht 45-50 milionë euro, ka pak hapësirë për negociata. Prova është oferta e fundit nga Nottingham Forest, e refuzuar prerë: 30 milionë euro, ndoshta me bonuse, pas miratimit paraprak të lojtarit për kontratën.

Ndoye është strukturalisht dhe taktikisht profili ideal për të luajtur në të majtë së bashku me Lang, por kontaktet e nisura që në qershor (me rastin e operacionit Beukema) nuk kanë patur ndonjë zhvillim të rëndësishëm. Napoli ishte gati të ofronte 30 milionë, plus kartonin e Zanoli (i vlerësuar nga Italiano), por përgjigja ka qenë “jo”, pa diskutime të mëtejshme. Ndoye mbetet ende lart në listë, por në këtë moment çështja ka arritur një pikë kthese, sepse këto janë ditët e së vërtetës.

Një Napoli shumë britanik – Ekzistojnë edhe pista të tjera, natyrisht. Për çdo rol që duhet përforcuar, Napoli i ka dorëzuar Contes një listë me disa alternativa, minimalisht pesë për secilin pozicion. Tani është momenti që të rishikohen ato emra. Për shembull, anglezi Jack Grealish, 29 vjeç, i cili ka luajtur deri vonë me De Bruyne te Manchester City.

Si belgu, edhe ai tani është gati të largohet. “Meriton të luajë”, – tha Guardiola në mes të qershorit, duke iu referuar numrit të ulët të paraqitjeve sezonin e fundit. Grealish është një ide tipike britanike, por që kërkon analizë të kujdesshme për shkak të kostos së lartë dhe mënyrës së mundshme të marrëveshjes me City. Kontrata e tij skadon në vitin 2027.

Federico Chiesa, 27 vjeç, është një tjetër alternative. Kontrata me Liverpool-in i përfundon më 2028, por ai është gati të largohet nga “Anfield”, ndoshta edhe në formë huazimi. Një zgjidhje që duhej mbajtur gjithmonë në konsideratë te Napoli. Në listë është përfshirë gjithashtu edhe Antonio Nusa, norvegjezi 20-vjeçar që luan për Leipzig.

Ndërkohë, dje pati një ngadalësim të vogël në tratativat e dyfishta me Torinon për daljen e Cyril Ngonge dhe ardhjen e Vanja Milinković-Savić. Sulmuesi i Napolit ishte gati të firmoste dhe qëndroi për disa ditë në Torino, por marrëveshja (huazim me të drejtë blerjeje) nuk është mbyllur ende.

Edhe portieri serb, i cili pritej t’iu nënshtrohej vizitave mjekësore të shtunën që kaloi, po pret në grumbullimin në Prato allo Stelvio (Bolzano), 63 km nga Dimaro. Ai ka kufizuar aktivitetin me portierët e tjerë, ka munguar në miqësoren ndaj Ingolstadt dhe nuk merr pjesë as në ndeshjet stërvitore. Ka gati valixhet dhe pret një sinjal nga Napoli.

The post Ditë vendimtare të merkatos së Napolit, për sulmin synohet Grealish ose Chiesa appeared first on Telesport.