Dita e tretë e grevës së përgjithshme, paralizon institucionet arsimore

Edhe dita e tretë e grevës së përgjithshme të Sindikates së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka dëshmuar unitetin dhe këmbëngulësinë për realizimin e kërkesës legjitime e të arsyeshme për ngritje të koeficienteve për 30 % për tërë sektorin e arsimit duke filluar nga Çerdhet, Arsimi Parauniversitar  dhe Universitetet.

Raportet që kanë arritur në Këshillin Qendror nga këshillat greviste nga komunat e Kosovës dhe të universitetet tregojnë se çerdhet dhe të gjitha institucionet tjera të arsimit vazhdojnë të qëndrojnë të pa luhatur në grevën e përgjithshme.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj me anëtarë të Këshillit Qendror Grevist dhe me  përfaqësuesen e çerdheve në Këshillin Drejtues të SBASHK, znj.Flora Gashi kanë vizituar komunën e Lipjanit për t’u takuar me grevistët  në Shkollën Fillore e të Mesme të Ulët  “Vëllezërit  Frashëri” dhe në çerdhen e kësaj qyteze.

Kryetari Jasharaj bashkë me kryetarin   e sindikatës komunale te arsimit parauniversitar të Lipjanit, Emrush Ahmeti dhe me Kryetarin e Këshillit të prindërve të Lipjanit Milazim Sadiku  kanë bashkëbiseduar  me grevistët në këto institucione arsimor, ndërsa menaxheri për financa e administratë në SBASHK, Ymer Ymeri njiherit edhe anëtarë i Këshillit Qendror Grevist është  përgjigjur  në pyetjet e grevistëve e që kishin të bënin me Projektligjin e pagave, që në versionin aktual është diskriminues e nënçmues për tërë sistemin arsimor.

Kryetari i SBASHK-ut ka përgëzuar edhe punëtorët e arsimit në Lipjan për unitetin e treguar dhe ka përsëritur se do të jetë zë i tyre në angazhimin për realizimin e kërkesave legjitime dhe se duke respektuar zërin e punëtorëve të arsimit dhe vendimin Këshillit Drejtues greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës legjitime të SBASHK-ut lidhur me përmirësimin e koeficienteve.

Kryetari i Këshillit të prindërve  të Komunës së Lipjanit u ka thënë grevistëve se ata kanë mbështetjen e prindërve në përpjekjet për realizimin e kërkesave të drejta e legjitime.

Përfaqësuesja e çerdheve në Këshillin Drejtues të SBASHK, znj Flora Gashi u është drejtuar grevistëve duke vlerësuar lart unitetin në gjithë çerdhet dhe në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës në përpjekje për realizimin e kërkesave për përmirësimin e koeficienteve  në mënyrë që të punësuarit në arsim  nga  çerdhet e deri edhe në Universitete të kenë vend meritor në ligjin e pagave.

SBASHK kujton Drejtoritë Arsimore dhe institucionet se është duke përcjellë nga afër  situatën dhe rrjedhën e grevës dhe se presionet eventuale që do të tentohet të ushtrohen mbi grevistët, apo veprimet për të penguar aktivitetet sindikale, pra edhe grevën, janë` të sanksionuara me Ligjin mbi grevat dhe me Konventat ndërkombëtare dhe  konsiderohen si  shkelje e ligjit dhe prandaj SBASHK nuk do të hezitoj që rastet eventuale të presioneve t’i dërgojë në gjykata dhe personat tillë  do të ndëshkohen sipas ligjit për grevat konkretisht duke u bazuar ne nenin 25 i Ligjit per grevë Nr.03/L-200.

Vlen të theksohet se SBASHK-ut vazhdojnë t’i arrin letra mbështetëse, kësaj radhe e kemi mbështetjen e plot nga Sindikata Kombëtare e Arsimit të Shteteve të Bashkuara ( NEA) e cila ju ka drejtuar Kryeministrit Hardinaj duke i kujtuar se bashku me SBASHK-un e Kosovës janë anëtare te Edukimit Internacional i ku se bashku janë mbi 300 organizata sindikale nga me tepër se 170 shtete të botës,ku mes tjerash thuhet se “për të ofruar arsim cilësor për nxënësit, pagat e dhe kushtet për  mësuarit duhet të jenë të dinjitetshme investime te cilat janë te domosdoshme.”

Për të shtuar se duke pasur parasysh se jeni ne  diskutimet te vazhdueshme me SBASHK-un, ju inkurajoj që të  siguroni paga meritore për mësuesit sepse ky është ne në shërbim të nxënësve të Kosovës. Në fund të kësaj letre NEA kërkon nga Kryeministri Haradinaj që të vazhdoj me bisedimet me SBASHK-un dhe sa me shpejte te arrin marrëveshjen.  /ekonomia-ks.