Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës konsiderohet si shkelësja më e madhe e Kushtetutës, e cila u miratua më 9 prill, 17 vjet më parë. Krahas shkeljeve tashmë të konstatuara, Gjykata Kushtetuese është duke në proces të vendimmarrjes për rreth 20 ligje të kontestuara. Kushtetutën e shkeli edhe ekzekutiv në shkuarje.
Në 17 vjet prej kur u miratua, Kushtetuta e Kosovës përvese shërbeu si akti më i lartë rregullues i rendit juridik në vend, u sfidua jo-rrallë herë me shkelje, e po ashtu shpërfillje të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Vetëm në katër vjetët e fundit, aktet e pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv ranë ndesh me Kushtetutën rreth 10 herë.
Ndërkaq, kjo shifër mund të rritet ose mbetet e njëjtë, varësisht konkluzioneve që do të nxjerrë Gjykata për afër 20 ligje të kontestuara, të cilat i ka akoma në shqyrtim.
Bazuar në numra, në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësuan se legjislatura e tetë ishte shkelësja më e madhe Kushtetutës.
“Ligji për Byronë për Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për Zyrtarët Publik, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, Ligji për KPK-në. Do me thënë, janë dy ligje në reformën e drejtësisë dhe dy në reformën e administratës publike. Janë ligje që vazhdimisht janë shpallur jo-kushtetuese dhe prapë janë miratuar me shkelje Kushtetuese”, ka thënë Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD.
Pasi vlerësoi se Kushtetuta e Kosovës është liberal-demokratike, një nga hartuesit e saj, më vonë nën-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tha se vendimet e kësaj të fundit janë detyrim i pashmangshëm për institucionet e shtetit.
“Gjatë kësaj periudhe kemi pasur shkelje të lehta të Kushtetutës dhe kemi pasur disa raste kur është marrë vendim në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk është zbatuar si i tillë. Që nënkupton që Gjykata Kushtetuese nuk mekanizëm për zbatim të vendimeve të veta, por në momentin kur nuk zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese ajo kalon te Kodi Penal dhe është e sanksionuar si vepër penale”, ka thënë Kryeziu.
Pasi tha se Gjykata Kushtetuese mbron demokracinë, liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe balancon pushtetet, Kryeziu vlerësoi se ajo e Kosovës është prej më të mirave në rajon.
Mos-adresimi nga Kuvendi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ndryshime në Ligjin e Pagave, brenda gjashtë muajsh, është një nga dështimet aktuale të institucioneve në raport me zbatimin e obligimeve kushtetuese.
“Ideja ka qenë që përfaqësuesit e popullit të Qeveria që del prej përfaqësuesve të popullit të mos vjen në këtë derexhe, që të mos zbatojë vendimet e një gjykate që në vendet demokratike as nuk kontestohen, e këtu përveçse janë kontestua edhe janë kundërshtua”, ka shtuar Jakaj.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur reformën në arsim në komunën e Kamenicës, përbën një nga rastet e para kur aktet e pushtetarëve në shkuarje ranë ndesh me Kushtetutën.
Në të kaluarën, dy presidentë kanë dhanë dorëheqje pas shkeljeve të konstatuara nga Gjykata Kushtetuese.