Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, AGK: Gazetarët luajnë rol të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e demokracisë

Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e shënoi me konferencën:“Safeguarding Journalists and Advancing Gender Equality in Media”.

Gazetarët dhe gazetaret luajnë një rol të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e demokracisë dhe në promovimin e barazisë gjinore në media.

 

Konferenca e organizuar nga AGK në bashkëpunim me OSBE-në, si dhe me mbështetjen e Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe CDF, solli në fokus sigurinë e gazetarëve dhe rëndësinë e barazisë gjinore në redaksi.

Fjalët hyrëse u mbajtën nga: Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Pascale Roussy, Shefe e Departamentit për Demokratizim, OSBE në Kosovë, Mary Ann Hennessey, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë.

Në panelin e parë të kësaj konference u fol për  “Breaking Barriers” – Gratë gazetare që formësojnë hapësira të barabarta dhe gjithëpërfshirëse.

Diskutimet në Konferencën për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vazhduan me panelin e moderuar nga Qëndresa Tershani, anëtare e Bordit Këshillëdhënës të Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës.

Panelistet ndanë përvojat e tyre mbi sfidat gjinore në gazetari, udhëheqjen e grave në media dhe nevojën për ambiente të sigurta e gjithëpërfshirëse për gazetaret.

Në panel morën pjesë: Ardiana Thaçi, gazetare, Klan Kosova TV, Agnesa Qorri, gazetare, freelance, Maria Cheresheva, përfaqësuese e Shoqatës së Gazetarëve Evropianë – Bullgari, dhe Masha Mileusniq, përfaqësuese e Rrjetit të Grave Gazetare të Serbisë.

Ky panel ishte thirrje për veprim dhe solidaritet rajonal, për të fuqizuar zërat e grave në media dhe për të ndërtuar një gazetari më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë.

Sakaq, paneli i dytë, i moderuar nga Xhemajl Rexha, trajtoi kërcënimet me të cilat përballen gazetarët në punën e tyre të përditshme, vështirësitë në qasjen në drejtësi dhe rëndësinë e përgjegjësisë institucionale për sigurinë e tyre.

Në panel morën pjesë: Agron Bajrami, Prokuror i Shtetit në Prokurorinë Themelore dhe të Apelit, Leotrim Gashi, Gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dorentina Thaqi, gazetare, TV Dukagjini, Burim Zariqi, gazetar, RTV21 dheYll Zekaj, jurist dhe këshilltar ligjor në AGK.

Paneli solli perspektiva të ndryshme nga gazetarë dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë, duke nënvizuar nevojën për mbrojtje konkrete dhe bashkëpunim institucional për të garantuar një mjedis të sigurt për mediat.