Disney përgatit rikthimin e Johnny Depp, Orlando Bloom dhe Keira Knightley në “Pirates of the Caribbean”

Franshiza “Pirates of the Caribbean”, një nga më të suksesshmet në historinë e kinemasë, mund të sjellë sërish në ekran kastin origjinal: Johnny Depp, Orlando Bloom dhe Keira Knightley.

Sipas një raportimi të fundit nga ‘The DisInsider’, Disney është në diskutime për rikthimin e personazheve ikonë, Jack Sparrow, Will Turner dhe Elizabeth Swann, në filmin e gjashtë të sagës.

Në fillimet e saj, kjo aventurë, e prodhuar nga Jerry Bruckheimer, u mbështet te dinamika e tresheve Depp-Bloom-Knightley, duke krijuar një sukses të papritur që u kthye në një fenomen global.

Johnny Depp

Megjithatë, me kalimin e viteve dhe pas largimit të Bloom dhe Knightley, Depp mbeti protagonisti kryesor përkrah aktorëve të tjerë si Geoffrey Rush.

Zërat për rikthimin e mundshëm janë përforcuar edhe nga skena pas titrave të filmit të fundit të sagës, ku Will Turner (Orlando Bloom) dhe Elizabeth Swann (Keira Knightley) shfaqen së bashku.

Në atë skenë, një hije misterioze hyn në dhomën e tyre, duke lënë të kuptohet rikthimi i Davy Jones, një nga antagonistët më të njohur të sagës. Kjo sugjeron një vijim të historisë që përfshin gjithë kastin origjinal.

Aktualisht, pak dihet për projektin e ri. Disa burime thonë se regjia do t’i besohet Joachim Ronning, ndërsa skenari po shkruhet nga Jeff Nathanson.

“Pirates of the Caribbean”

Fansat e sagës presin me padurim që këto spekulime të marrin konfirmim gjatë eventit më të rëndësishëm të Disney, D23 Expo, që do të zhvillohet nga 29 deri më 31 gusht 2025.

Nëse lajmet rezultojnë të vërteta, ky do të ishte një nga rikthimet më të bujshme në historinë e filmave aventurë.