Deputeti Shaip Kamberi gjatë një debati për buxhetin në Kuvendin e Serbisë foli për problemet që kanë qytetarët në Luginën e Preshevës, si pasivizimi i adresave, diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, moszbatimi i ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve, etj.
Kamberi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se e ka pyetur Ministrinë e Brendshme pse nuk i ka kthyer përgjigje në kërkesën e tij që komuna e Preshevës të marrë targën e saj të regjistrimit për automjetet motorike.
Gjithashtu Kamberi pyeti Qeverinë pse janë bllokuar paratë për Këshillin Kombëtar Shqiptar nga fondet e Qeverisë së Kosovës, si dhe çfarë po ndodh me iniciativën për një program për pranimin e personave nga pakicat kombëtare shqiptare dhe boshnjake në shërbimin policor në nivel lokal.
Edhe në seancën e kaluar, deputeti shqiptari foli me tone të ashpra në parlamentin serb.
“E dimë se ekziston diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. E dimë se ekziston praktika e pasivizimit të adresave, përmes së cilës mijëra njerëzve u hiqet e drejta zgjedhore dhe qytetare”, nënvizoi Kamberi.
Për më shumë lexoni të plotë fjalimin e Kamberit:
Para se Serbia të hyjë në BE, ajo më parë duhet të hyjë në Evropën e të drejtave, e jo vetëm në Evropën e tregut.
Zonja dhe zotërinj,
Sot po flas jo vetëm si deputet, por si zëri i dhjetëra mijëra qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës njerëz, që prej më shumë se dy dekadash, jetojnë mes ligjit dhe padrejtësisë, mes garancive kushtetuese dhe jetës reale.
Para nesh është një Rezolutë që nuk është as ekstreme e as separatiste, por thellësisht, demokratike dhe evropiane.
Ajo kërkon vetëm një gjë: që shqiptarëve në Luginën e Preshevës t’u sigurohet barazia para ligjit dhe realizimin e plotë tëtë drejtave qytetare, politike dhe kombëtare.
Prandaj, kur flasim për këtë Rezolutë, ne flasim për drejtësi, e jo për politikë.
Për besim në institucione, e jo për kërcënime ndaj shtetit.
Për vlera evropiane, e jo për kufij.
Zonja dhe zotërinj,
Të gjithë ne e dimë se ekziston një problem.
E dimë se ekziston diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
E dimë se ekziston praktika e pasivizimit të adresave, përmes së cilës mijëra njerëzve u hiqet e drejta zgjedhore dhe qytetare.
E dimë se ka moszbatim të ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve, mosnjohje të diplomave, mungesë të mbishkrimeve dygjuhëshe, mungesë të përfaqësimit në polici, gjyqësor, prokurori dhe në shërbimet inspektuese.
E dimë edhe që zhvillimi ekonomik i rajonit neglizhohet sistematikisht, ndërsa të rinjtë po largohen sepse nuk shohin të ardhme në një vend ku trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
Prandaj, mos të themi sot se “nuk është momenti”, sepse ky moment pritet tashmë më shumë se njëzet vjet.
Kur kërkojmë ndalimin e pasivizimit të adresave, ne nuk kërkojmë mëshirë, por respektim të së drejtës.
Kur kërkojmë përdorim zyrtar të gjuhës dhe simboleve, ne nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë.
Kur kërkojmë që shqiptarët të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në institucione, ne nuk kërkojmë poste, por përfaqësim të drejtë në shtetin ku edhe ata janë qytetarë.
Kjo Rezolutë bën thirrje për krijimin e një trupi të pavarur parlamentar, i cili, në bashkëpunim me OSBE-në dhe shoqërinë civile, do të hetojë pasojat e pasivizimit dhe do të propozojë masa për kthimin e të drejtave të mijëra njerëzve të privuar nga to.
Ajo bën thirrje që të njihen përfundimisht diplomat dhe kualifikimet arsimore të fituara në Kosovë, që të respektohet e drejta për gjuhën shqipe dhe të sigurohet përfaqësim i barabartë në shërbimet shtetërore.
A nuk është kjo ajo që çdo shtet evropian duhet të bëjë?
Nëse dëshirojmë që Serbia të hyjë në Bashkimin Evropian, ajo më parë duhet të hyjë në Evropën e të drejtave, e jo vetëm në Evropën e tregut.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Që nga viti 2001, nga nënshkrimi i Planit për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përmes marrëveshjeve të viteve 2009 dhe 2013, e deri te Plani i Veprimit i vitit 2022, shtet ii Serbisë është zotuar se do ta integrojë komunitetin shqiptar.
Të gjitha këto zotime ekzistojnë në letër, por në praktikë ato janë thjesht fjalë të vdekura.
Sot, në vitin 2025, funksionarë të Trupit Koordinues publikisht mohojnë edhe ekzistencën e vetë Planit të Veprimit.
Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi – është edhe fyerje për ata që besojnë në dialog dhe institucione.
Prandaj sot, Kuvendi Popullor ka mundësinë të marrë përgjegjësinë.
Të tregojë se shteti nuk është armik ndaj qytetarëve të vet, por garantues i të drejtave të tyre.
Të rikthejë besimin që është rrënuar për dekada.
Zonja dhe zotërinj,
Lugina e Preshevës kërkon respektimin e rregullave që tashmë ekzistojnë.
Nuk kërkon premtime të reja, por zbatimin e atyre të dhëna para 20 vjetësh.
Nuk kërkon më shumë, por nuk do të pranojë asgjë më pak se barazinë.
Prandaj, sot, duke mbështetur këtë Rezolutë, ne nuk miratojmë një akt në dobi të shqiptarëve, por një akt në dobi të drejtësisë, demokracisë dhe Serbisë evropiane. /Telegrafi/











