Disa refuzuan të dëshmojnë, disa me probleme shëndetësore: Cilat prova të dëshmitarëve u pranuan në Hagë?

Gjyqtarët e Speciales në Hagë, kanë marrë disa vendime, nëpërmjet të cilave ata kanë pranuar si prova në procesin ndaj krerëve të UÇK-së, disa deklarata e prova për disa dëshmitarë.

Këta dëshmitarë, disa kanë pasur probleme shëndetësore, e disa nuk kanë pranuar të dëshmojnë.

Nacionale raportoi se në mesin e vendimeve, Specialja refuzoi t’i pranojë si prova deklaratat e dëshmitarit me numër 29, për të cilin Prokuroria e Hagës tha se i janë konstatuar probleme mendore.

Por, provat e cilëve dëshmitarë të tjerë u pranuan?

Një dëshmitar me shifrën W00092 nuk e kishte të mundur të dëshmojë për arsye shëndetësore. Avokatët e krerëve të UÇK-së kërkuan që të refuzohen provat e tij, pasi janë të pabesueshme dhe nuk kanë asnjë mbështetje. Sipas mbrojtjes, deklaratat e tij janë në kundërshtim me deklaratat e dëshmitarëve të tjerë për një qendër të ndalimit.

Megjithatë, gjyqtarët i pranuan provat e këtij dëshmitari.

“Lidhur me argumentet e Mbrojtjes në lidhje me të metat e supozuara, Paneli kujton se besueshmëria prima facie për qëllime të pranimit nëpërmjet Rregullës 155 nuk kërkon provë të besueshmërisë në lidhje me secilin fakt ose rrethanë në lidhje me të cilën dëshmitari jep dëshmi. Në mënyrë të ngjashme, në lidhje me argumentet e Mbrojtjes në lidhje me Mospërputhjet e W00092, Paneli kujton se mospërputhjet në vetvete nuk i bëjnë provat të papranueshme. Vlerësimi për qëllime të pranueshmërisë është prima facie dhe pa paragjykuar çdo vlerësim përfundimtar të besueshmërisë të bërë në dritën e të gjithë trupit të provave të pranuara në fund të gjyqit. Paneli është gjithashtu i kënaqur që Deklaratat e W00092 janë prima facie autentike dhe provuese”, thuhet në vendim.

Një tjetër dëshmitar është ai me shifrën W04352. I njëjti, refuzoi të dëshmojë, pavarësisht insistimit të shtetit të tretë ku jeton, dëshmitari sërish refuzoi. Sipas avokatëve, provat e këtij dëshmitari, nuk përputhen me të disa dëshmitarëve të tjerë. Megjithatë, edhe këto, gjyqtarët

“Lidhur me besueshmërinë prima facie, Paneli vëren se Deklaratat e W0435298 përbëhen nga deklaratat e dëshmitarëve dhe transkriptet e intervistave dhe provave para PSP-së, [REDAKTUAR], 100 dhe [REDAKTUAR]. 101 Të gjitha përmbajnë tregues besueshmërie, të tilla si: (i) të dhënat e dëshmitarit; (ii) të dhënat e pjesëmarrësve, data, ora dhe/ose vendi i deklaratave; (iii) nënshkrimi i zyrtarëve të autorizuar dhe/ose dëshmitarit; (iv) paralajmërime dhe pranime të dëshmitarëve; dhe (v) transkripte fjalë për fjalë të intervistave ose përdorimi i modeleve zyrtare”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.

Edhe dëshmitari me shifrën W04433 nuk pranoi të dëshmojë, me pretendimin se ka trauma ai dhe familja e tij. Sipas mbrojtjes, provat e këtij dëshmitari, janë në kundërshtim me parashtrimet e Prokurorisë. Gjyqtarët e arsyetuan vendimin për t’i pranuar edhe këto prova.

“Lidhur me besueshmërinë prima facie të Deklaratave të W04433, Paneli vëren se ato përbëhen nga regjistrime audio-vizuale dhe me shkrim të dëshmisë së dëshmitarit para [REDAKTUAR], dhe përmbajnë tregues të besueshmërisë, të tilla si: (i) të dhënat e dëshmitarit; (ii) të dhënat e pjesëmarrësve, data dhe vendi i deklaratave; (iii) paralajmërime dhe pranime të dëshmitarëve; (iv) përdorimi i shablloneve zyrtare; dhe (v) transkripte fjalë për fjalë dhe regjistrime audio-video përkatëse që përshkruajnë dëshmitarin duke dëshmuar nën betim”, thuhet në vendim.

Edhe dëshmitari me shifrën W04425 nuk pranoi të dëshmojë. I njëjti, jeton në një shtet të tretë. Pavarësisht se Prokuroria kërkoi nga shteti që ta detyrojë dëshmitarin për të dëshmuar, kjo nuk ndodhi.

“Megjithatë, Paneli merr në konsideratë se: (i) dëshmitari nuk është i disponueshëm sipas kuptimit të Rregullës 155(1); 187 (ii) dëshmitari u informua siç duhet për të drejtën e tij për një përkthyes shqip për qëllimin e intervistës së tij, të cilën ai e pranoi dhe nuk pranoi ta ushtronte”, thuhet në vendim.

Deklaratat e vetme që gjyqtarët refuzuan, ishin ato të dëshmitarit me numër 29, ndaj të cilit pati konstatim se ka probleme mendore.