Ushtruesi i detyrës së ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker, ka thënë se SHBA-ja do t’i vazhdojë bisedimet me Bashkimin Evropian dhe palët tjera të interesuara për dialogun Kosovë-Serbi.
Zyrtari i lartë amerikan i bëri komentet gjatë një tele-konference për gazetarë, pikërisht në ditën kur në Bruksel janë takuar delegacionet e Kosovës dhe Serbisë.
Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se cili është aktualisht roli i Shteteve të Bashkuara në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas nismës së BE-së për të rifilluar procesin, dhe nëse ka bashkëpunim mes SHBA-së dhe BE-së, Reeker tha se “i vjen mirë për rifillimin e dialogut” dhe se SHBA-ja do ta mbështesë këtë proces.
“Mendoj se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje dhe ne e mirëpresim këtë mundësi”, tha Reeker.
Ai konfirmoi se të premten në Bruksel do të takohet me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Sipas zyrtarit të Departamentit të Shtetit, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet edhe më tutje një përparësi e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ai rikujtoi edhe nismën e përfaqësuesit të Posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell.
“Grenell ka punuar në aspektin ekonomik, për t’i ndihmuar të dyja vendet të gjejnë mënyra për të përmirësuar ekonomitë e tyre, pra për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Kjo është e pashmangshme për Serbinë dhe Kosovën si vende fqinje dhe kjo do t’ju ndihmojë atyre që të gjejnë një shteg në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve si dhe të ecin përpara në qëllimet dhe përparësitë afatgjate”, theksoi Reeker, raporton REL.
Tema e ekonomisë është dashur të jetë në tryezë të diskutimeve ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një takimi të planifikuar për t’u mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor. Mirëpo, ai u anulua tre ditë përpara për shkak se Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë njoftoi se kohë më parë ka paraqitur para një gjykatësi të procedurës paraprake një aktakuzë kundër presidentit Hashim Thaçi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Shtetet e Bashkuara deri më tani nuk kanë njoftuar një datë për rinisjen e bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell.
Ndërkohë, presidenti Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 16 korrik. Siç u tha pas takimit, temat që janë diskutuar aty kanë qenë çështja e personave të pagjetur dhe ekonomia. Ky takim shënoi edhe rifillimin e dialogut në Bruksel pas 20 muajve të ngecjes.
Deri më tani, ambasadori Grenell ka ndërmjetësuar tri marrëveshje – për krijimin e një linje ajrore dhe hekurudhore, si dhe për autostradën Prishtinë-Beograd.
Asnjëra prej tyre nuk ka filluar të zbatohet deri më tani.
Kur njoftoi për takimin e paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, Grenell tha se ka marrë garanci nga të dyja palët se ato do të ndalonin përkohësisht fushatat e tyre -Serbia fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të ndalonte fushatën e saj për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare.
Duke iu përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, Philip Reeker gjithashtu theksoi se “janë ndërmarrë hapa të shkëlqyer” në procesin e udhëhequr nga Grenell, dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i mbështesin të dyja palët për të zbatuar marrëveshjet që u nënshkruan nën ndërmjetësimin e tij.
Reeker foli edhe për përkushtimin e SHBA-së në të gjithë procesin e dialogut.
“Ambasadat tona në Beograd dhe Prishtinë mbeten aktive dhe janë në kontakt të ngushtë me qeveritë në të dyja vendet, me qëllim që t’i mbështesin ato për të gjetur një mënyrë që të ecin përpara në këtë proces. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona me Bashkimin Evropian dhe palët e tjera të interesuara”, përfundoi Reeker.