Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, priti në takim gjeneratën e tretë të Programit për Diplomaci Qytetare.
Bëhet e ditur se takimin e parë së bashku e kishin zhvilluar në tetor të vitit të kaluar, në fillim të nisjes së programit. Këtë javë pjesëtarët e Programit për Diplomaci Qytetare e përfundojnë rrugëtimin e tyre 10-mujor të angazhimit në institucione të Kosovës.
“Kryeministri Kurti i uroi për këto muaj të suksesshëm duke shprehur se Programi për Diplomaci Qytetare mbetet një nga nismat më të rëndësishme të qeverisë sonë për diasporën. Në vijim shprehu se përmes këtij programi, bursistët kanë patur mundësi të sjellin dijet dhe aftësitë e tyre në shërbim të zhvillimit të mëtejmë të institucioneve tona publike dhe thellimit të lidhjes së tyre me Kosovën, por edhe përfitimit nga përvoja e këtyre muajve”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.
Thuhet se bursistët nga ana e tyre ndanë përvojat e kësaj eksperience, sfidat me të cilat janë ballafaquar dhe synimet për të ardhmen përmes “Citizen Diplomacy Fellowship Alumni Association”. Disa prej tyre theksuan dëshirën për të vazhduar punën në Kosovë edhe pas përfundimit të programit, ndërsa disa të tjerë veçse kanë bërë plane për të vazhduar qëndrimin në vend.
Kurti me këtë rast ka falënderuar për punën, përkushtimin dhe angazhimin e tyre, si dhe i uroi suksese në rrugëtimet e tyre të mëtejme pas këtij programi.
The post Diplomacia Qytetare: Kurti takon gjeneratën e tretë të programit 10-mujor appeared first on Kosovapost.net.