Kur Behar Isma la zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të marrë postin e Konsullit të Përgjithshëm në Dyseldorf, nuk u nis duarthatë. Përveç mandatit diplomatik, me vete mori edhe 15,200 euro nga buxheti i shtetit, që t’i blejë mobiljet dhe t’i transportojë ato në zyrën e tij të re, shkruan Demokracia.com.
Behar Isma, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i cili vitin e kaluar ka marrë pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në Dyseldorf të Gjermanisë, ka përfituar mbi 15 mijë euro kompensime në emër të mobilimit dhe zhvendosjes së tij në këtë post.
Në deklarimin vjetor të pasurisë për vitin 2024, Isma ka treguar se ka marrë 3,300 euro në para të gatshme për transportin e mobiljeve, si dhe një shumë më të madhe 11,900 euro po ashtu në para të gatshme për mobiljet, të gjitha të paguara nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Të dyja këto janë të lidhura me fillimin e misionit të tij diplomatik në Gjermani.
Përveç tyre, ai ka përfituar edhe kompensime për shpenzime të vogla si viza dhe parking, si dhe kompensim për telefonin mobil për tre muaj të fundit të vitit, që në total arrijnë shifrën 41.80 euro dhe 240 euro.
Edhe pse diplomatëve në fillim të misioneve u mbulohen disa shpenzime të zhvendosjes, në këtë rast bie në sy mënyra se si mjetet janë ndarë, në para të gatshme, si dhe shuma që tejkalon çfarëdo standardi të arsyeshëm për mobilim e transport, aq më tepër në një shtet që përballet me krizë të përhershme buxhetore.
Në këtë rast, duket se diplomati jo vetëm që e ka përfaqësuar shtetin, por edhe e ka kryer vetë punën e transportuesit të mobiljeve, me mbështetje të plotë financiare nga shtet.
Në të njëjtën deklaratë, Isma ka paraqitur të ardhura nga paga prej mbi 22 mijë eurosh, si dhe meditje për udhëtime zyrtare në Gjermani dhe Zvicër.
Mbase Ismës do t’í duhet të jepte llogari edhe për mënyrën sesi e mori gradën diplomatike dhe për një kohë të shkurtër u caktua të shërbejë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Dusseldorf/Republika Federale e Gjermanisë për mandat 4-vjeçar.
Demokracia.com kishte siguruar edhe vendimin për Ismën.
Madje, ai do të ushtronte përkohësisht edhe detyrën e Konsullit të Përgjithshëm.
“Isma fillon realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij nga data 20 qershor 2024”, thuhet në vendimin e Gërvallës.
Demokracia.com ka raportuar në vazhdimësi për veprimet e kundërligjshme të dorës së djathtë të Gërvallës.
Isma ka qëndruar kundërligjshëm në postin e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD për vite me radhë.
E gjithë kjo për ministren Gërvalla nuk ka paraqitur asnjë pengesë që ai të vazhdojë punën dhe shkeljet e tij të vazhdueshme, të cilat janë konfirmuar edhe nga Këshilli i Pavarur për Shërbyesit Civil, gjykatat e vendit, ku së fundmi edhe Gjykata e Apelit e ka konfirmuar që Rregullorja për Sistemimin e vendeve të punës ishte e kundërligjshme.
Isma është graduar para disa javësh në Gradën Diplomatike Këshilltar, me një komision të fshehtë, i cili ishte themeluar enkas për të dhe në kundërshtim me të plotë me dispozitat ligjore të MPJD-së.
Emërimi i ri si Shef i Konsullatës së Përgjithshme gjithashtu është jo vetëm i kundërligjshëm, por edhe në kundërshtim me praktikat diplomatike të shteteve demokratike, pasi Isma nuk ka as edhe një ditë përvojë në diplomaci.
Në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Dusseldorf nga maji i vitit 2023 është caktuar znj. Mirsada Voca, e cila po ashtu ka Gradën Diplomatike Këshilltar është pjesë e MPJD që një kohë të gjatë dhe ka përvoja në diplomaci pasi ka shërbyer edhe në Gjenevë dhe ka qenë në pozita menaxhuse për një kohë të gjatë në MPJD.
Demokracia.com merr vesh se Isma kishte rezervuar që një kohë të gjatë pozitën e Shefit të Konsullatës në Dusseldorf, pasi ai para një viti kishe dërguar asistenten e tij Albulena Haziri-Korça, të shërbejë si zëvendës konsulle në Dusseldorf, e cila nuk kishte as gradë diplomatike, gjë që është e paprecedent në diplomaci.
Veprimet pa kritere profesionale dhe duke anashkaluar diplomatët me përvojë të gjatë në MPJD janë të shumta dhe janë bërë të zakonshme në këtë institucion. /Demokracia.com/