Diouf i emocionuar: Për t’i thënë “po” Interit nuk u mendova fare, krenar që vishem zikaltër

“Më pëlqen të luaj me topin në këmbë, të luaj me personalitet. Më pëlqejnë edhe gjestet teknike, të tregoj çfarë mund të bëj me topin”. Kështu u prezantua Andy Diouf para tifozëve, tek Interi. Ai është blerja e katërt zikaltër e kësaj vere.

Në intervistën e parë të dhënë për mikrofonat zyrtarë të klubit, ish-lojtari i Lens u shpreh se mund të përshtatet shpejt falë pranisë së disa bashkëkombësve të tij, nga Bonny te Pavard dhe Thuram: “Po, është e vërtetë, më ndihmon prania e disa francezëve në skuadër. E njoh mirë Ange-Yoan, sepse kemi luajtur së bashku në kombëtare dhe më ka folur shumë mirë për klubin. Sigurisht që është avantazh të shkosh në një skuadër ku njeh tashmë disa bashkëlojtarë”.

Një transferim që dukej i destinuar, për shkak të lidhjes së tij me ngjyrat zikaltër: “Interi është një klub i mbushur me histori, sapo e mora vesh lajmin nuk u mendova fare, thashë po. Për mua nuk kishte dyshime që ta zgjedhja këtë klub, është nder të jem këtu. Të jesh interist do të thotë shumë gjëra, jam shumë krenar. Mezi pres të zbres në fushë në ‘San Siro’, për të luajtur me këtë fanellë”.

The post Diouf i emocionuar: Për t’i thënë “po” Interit nuk u mendova fare, krenar që vishem zikaltër appeared first on Telesport.