Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka reaguar pas raportimeve për ndalimin e 16 personave nga Serbia në një operacion të zhvilluar nga Policia e Kosovës, duke sqaruar se disa nga të ndaluarit kishin qëndruar natën paraprake në konviktin e Seminarit Teologjik në Prizren, por asnjë person nuk është ndaluar gjatë Seminarit.
“Asnjë person nuk është ndaluar sot në Seminarin e Kishës Ortodokse Serbe të Shën Kirilit dhe Metodit në Prizren. Policia e Kosovës nuk ka hyrë në ambientet e këtij institucioni fetar, e as nuk ka kontaktuar me ndonjë përfaqësues të tij. Gjatë ditës, Dioqeza mësoi nga burimet mediatike se disa serbë janë ndaluar, përfshirë 12 persona në Prizren, të cilët kishin kaluar natën e kaluar në pjesën e mysafirëve të Seminarit”- thuhet në komunikatë.
Në njoftim u theksua se Manastiret, qendrat e pelegrinazhit dhe vetë Seminari, rregullisht presin vizitorë dhe pelegrinë që vijnë në Kosovë për të marrë pjesë në shërbime fetare dhe ngjarje të Kishës.
“Natyrisht, Kisha nuk mund të ketë njohuri të detajuar për secilin vizitor, pasi të gjithë ata që hyjnë në Kosovë nga Serbia e bëjnë këtë përmes pikave të kalimit të rregulluar administrativisht, nën kontrollin e Policisë së Kosovës dhe në përputhje me ligjet ekzistuese, të cilat garantojnë të drejtën për lëvizje të lirë dhe pjesëmarrje fetare”- thuhet me tej në sqarimin e tyre.
Më tej, bëhet e ditur se nga ata që kaluan natën në Seminar, vetëm dy persona — sipas të dhënave të Dioqezës — dyshohet se janë nën hetim nga autoritetet e Kosovës për aktivitete të ndaluara.
“Këta persona nuk ishin të njohur personalisht për klerin apo stafin e Seminarit dhe, sikurse pelegrinët e tjerë, kishin qëndruar një natë para se të merrnin pjesë në Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e Prizrenit. Ata më pas janë ndaluar në qytet, jashtë ambientit të Seminarit”- thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, çdo sugjerim se këta persona kanë përdorur një “institucion fetar si mbulim dhe për të nxitur tensione ndëretnike dhe fetare në Kosovë, siç thuhet në komunikatën e sotme të Policisë së Kosovës, është plotësisht i pabazë, i papërgjegjshëm dhe i pambështetur në fakte”./RTK