Këshilltarja për Çështjet e Ballkanit në Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, ka paralajmëruar për pasoja të rënda në demokracinë e Kosovës pas zhvillimeve të fundit politike, duke akuzuar partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK se po pengojnë formimin e qeverisë nga Albin Kurti, pavarësisht se Vetëvendosje doli forcë e parë në zgjedhjet e marsit 2025.
Në një reagim të gjatë drejtuar mbështetësve të saj, DioGuardi rikujton se, në mars 2025, kishte vlerësuar njohjen gjithnjë e më të madhe nga SHBA dhe vendet e Evropës Perëndimore për rolin e Kosovës si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Ajo përmendi se “Kosova nuk ka sulmuar kurrë dhe nuk ka tentuar të pushtojë territor tjetër” dhe se, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, ka treguar përkushtim ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit. Deputetja britanike Alicia Kearns e kishte quajtur Kosovën “një fener të demokracisë në një fqinjësi të vështirë”.
DioGuardi vuri në dukje kontrastin me veprimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të cilin e akuzoi për konsolidim autoritar të pushtetit, lidhje me Rusinë dhe përpjekje për të minuar Kosovën. Ajo kujtoi se Vuçiq refuzoi të marrë pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, të ndërmjetësuar nga BE, për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësisht gatishmërisë së Kurtit.
Sipas saj, Kurti ka theksuar se pa njohjen formale të pavarësisë nga Serbia, çdo dialog është i pakuptimtë dhe se, në të kundërt, “Vuçiqi do ta arrijë qëllimin e tij: Kosova do të copëtohet dhe nuk do të jetë më një vend”.
Në pjesën më të fortë të reagimit, DioGuardi thekson:
“Meqenëse Vetëvendosja nuk arriti të siguronte 61 vende të nevojshme për shumicën, PDK, LDK dhe AAK kanë punuar për të bllokuar Albin Kurtin nga formimi i qeverisë. Kjo është e rrezikshme për demokracinë në Kosovë dhe të ardhmen e Kosovës.”
Ajo pyet pse partitë më të vogla politike do të ishin të gatshme të rrëzojnë një qeveri që ka përfaqësuar stabilitetin dhe progresin në rajon, duke ndjekur – sipas saj – “pushtetin personal në kurriz të popullit të saj”.
DioGuardi bën thirrje për tejkalimin e bllokadës: “Është koha që politikanët e Kosovës të lënë anash interesat personale dhe partiake dhe të heqin bllokadën që pengon institucionet të ecin përpara”. Ajo e përmbyll me një paralajmërim se do të ishte “tragjike” nëse Kosova do të kthehej pas, duke humbur mundësinë të vazhdojë të jetë “forca më progresive në rajon” dhe shembull unik i bashkëjetesës multietnike ndër shekuj.
The post DioGuardi: Bllokada ndaj Kurtit rrezikon demokracinë dhe të ardhmen e Kosovës appeared first on Kosovapost.net.