Dimiq: Lista Serbe e ka terrorizuar veriun e Kosovës, është e ndikuar nga Vuçiqi, mos e votoni

Gazetari dhe analisti nga Beogradi, Radomir Dimiq, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke u drejtuar qytetarëve të Kosovës pa dallim etnik apo fetar, me theks të veçantë komunitetit serb.

Duke folur në emër të subjektit politik Kosova Multietnike, të cilin e drejton, Dimiq ka theksuar se ky subjekt që nga themelimi angazhohet për kulturë politike demokratike, prosperitet evropian dhe forcimin e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e ardhshme paraqesin një moment historik për dhënien e një qeverie meritore dhe stabile për shtetin e Kosovës.

Sipas Dimiqit, komuniteti serb në Kosovë ka një përgjegjësi të veçantë historike që të dëshmojë pjekuri politike përmes pjesëmarrjes aktive në zgjedhje dhe kontributit për zgjidhje serioze politike.

Ai ka bërë thirrje që të mos votohet për partitë politike serbe pasi, janë të lidhura me struktura mafioze dhe kriminale në Beograd dhe që, siç u shpreh, ushqejnë urrejtje ndaj Republikës së Kosovës.

Dimiq ka kërkuar largimin e Listës Serbe nga skena politike, duke e cilësuar këtë subjekt si faktor destabilizues dhe ushtrues presioni dhe frikë ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës.

Ai ka paralajmëruar kundër manipulimit të qytetarëve dhe përfshirjes së tyre në tensione dhe barrikada, duke theksuar se përfituesit e këtyre situatave, sipas tij, qëndrojnë jashtë Kosovës.

Në deklaratën e tij, Dimiq ka vlerësuar se këto zgjedhje janë një mundësi e fundit që qytetarët lojalë ndaj shtetit të Kosovës të mbështesin forcat demokratike që angazhohen për bashkëjetesë paqësore, siguri dhe zhvillim për të gjithë.

Ai ka theksuar se perspektiva e serbëve të Kosovës, sipas tij, qëndron në ndërtimin e besimit dhe bashkëjetesës brenda Kosovës dhe në orientimin drejt integrimit evropian.

Në fund, Dimiq ka sugjeruar se për serbët e Kosovës një alternativë më e favorshme mund të jetë mbështetja e subjekteve politike që promovojnë stabilitet, siguri dhe zhvillim të përbashkët, duke u distancuar nga, siç i quajti ai, politikat destruktive dhe nacionaliste që vijnë nga Beogradi.