Para zgjedhjeve të vitit 2019, atëbotë ish-kryeministri Ramush Haradinaj premtonte autostradën e Dukagjinit që do të lidhte qytetet kryesore të Rrafshit të Dukagjinit. Sikur për gati çdo gjë tjetër, Vetëvendosja e Albin Kurtit e kundërshtonte këtë ide. Por, tash si duket rrethanat paskan ndryshuar, shkruan Gazeta Metro.
Ramush Haradinaj u premtonte të gjithë qytetarëve të atij rajoni se autostrada do të bëhet, madje këtë zotim e pati në program edhe në ciklet e tjera zgjedhore.
Por, Vetëvendosja e kishte kundërshtuar që në fillim idenë e Haradinajt, e cila u tha atëbotë se mund të kushtonte më tepër se 600 milionë euro.
Ish-deputeti i kësaj partie atëherë, Libun Aliu, kishte thënë se më mirë këto para do të shfrytëzoheshin për plane tjera zhvillimore në Dukagjin.
Pas fitores së VV-së në vitin 2019, Besnik Bislimi pati deklaruar se projekti për autostradën e Dukagjinit do të stopohej, madje edhe do të hetohej nga qeveria e re.
Por, gjashtë vite të gjata më pas, Kurti e riktheu këtë ide dhe tash me qëndrim krejt tjetër nga ai i vitit 2019.
”Do ta ndërtojmë magjistralen e Dukagjinit që e lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën me Deçanin, Pejën e Istogun”, tha Kurti në një tubim në Pejë të dielën.
Pra, dikur e demonizonin Haradinajn se po gjoja përpiqej të keqpërdoronte paranë publike me një autostradë që do të lidhte qytetet kryesore të Dukagjinin, ndërsa sot pretendojnë që s’ka ndodhur asgjë dhe premtojnë po të njëjtën rrugë













